Sipërmarrësi shqiptar, Uljan Sharka, është shndërruar në një prej emrave të rëndësishëm të industrisë evropiane të inteligjencës artificiale, si themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Domyn, vlera e së cilës tejkalon dy miliardë dollarë.
Sharka, i lindur në Shqipëri në vitin 1992, u shpërngul në Itali në vitin 2008, kur ishte 16 vjeç. Ai ndërtoi karrierën në sektorin e teknologjisë, ku punoi edhe për gjigantin amerikan Apple në Silicon Valley, përpara se të themelonte kompaninë e tij në vitin 2016.
Kompania, e njohur fillimisht si iGenius dhe më vonë e riemërtuar Domyn, sot zhvillon modele të inteligjencës artificiale për sektorë të ndjeshëm, përfshirë financat, shëndetësinë, institucionet qeveritare dhe mbrojtjen.
Një prej objektivave kryesore të saj është zhvillimi i inteligjencës artificiale sovrane, e cila u mundëson klientëve të kenë kontroll mbi të dhënat dhe modelet e tyre, në vend që të varen nga sistemet e kompanive të huaja.
Rëndësia e kompanisë së drejtuar nga Sharka është rritur edhe në nivel evropian.
Në qershor, Komisioni Evropian përzgjodhi konsorciumin EUROPA, të udhëhequr nga Domyn, për zhvillimin e një modeli me kod të hapur të inteligjencës artificiale, i cili do të mbështesë të 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian.
Projekti synon të forcojë aftësinë e Evropës për të zhvilluar teknologjinë e saj të inteligjencës artificiale dhe për ta funksionalizuar atë në infrastrukturën e vet, në një kohë kur tregu dominohet kryesisht nga kompanitë amerikane dhe kineze.
Domyn gjithashtu planifikon të ndërtojë në Itali një nga superkompjuterët më të mëdhenj të inteligjencës artificiale në Evropë, në partneritet me kompaninë G42 nga Abu Dhabi dhe gjigantin amerikan Nvidia.
Modelet pronësore të kompanisë shpërndahen edhe përmes platformës Foundry të Microsoft-it.
Duke folur për rreziqet e inteligjencës artificiale, Sharka vlerëson se debati publik shpesh paraqet një realitet të shtrembëruar, veçanërisht kur bëhet fjalë për humbjen masive të vendeve të punës.
Sipas tij, modelet plotësisht autonome, të afta të kryejnë detyra pa udhëzime njerëzore, ende nuk janë realitet. Megjithatë, ai paralajmëron se inteligjenca artificiale mund të përdoret për manipulimin e opinionit publik dhe automatizimin e sulmeve të rënda kibernetike.
Në gusht të vitit 2026, Sharka u përfshi edhe në listën TIME100 AI të revistës amerikane TIME, e cila përmbledh 100 personalitetet me ndikim në zhvillimin e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/