Kushner: Bisedimet ishin të vështira, por produktive – çështjet territoriale mbeten pengesa kryesore

Kushner: Bisedimet ishin të vështira, por produktive – çështjet territoriale mbeten pengesa kryesore

Written by

in

I dërguari i posaçëm amerikan, Jared Kushner, i ka cilësuar si “të vështira, por produktive” dy ditët e fundit të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke theksuar se çështjet territoriale vazhdojnë të jenë pengesa më e madhe drejt një marrëveshjeje.

Duke folur në një konferencë për media, Kushner tha se në agjendën e diskutimeve ishin përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës, si dhe mënyrat për të monitoruar zbatimin e një armëpushimi.

“Çështjet territoriale do të jenë më të vështirat”, deklaroi ai, duke shtuar se raundi i fundit i negociatave përbën një “hap pozitiv” drejt paqes, pavarësisht mungesës së besimit mes palëve.

Kushner tha se ai dhe i dërguari tjetër amerikan, Steve Witkoff, fillimisht nuk ishin të sigurt nëse do të arrinin të organizonin bisedime në formatin trepalësh, transmeton Telegrafi.

“Ne nuk ishim të sigurt nëse do të arrinim deri te ky format trepalësh. Ka qenë një rrugë e gjatë për t’i rikthyer të gjithë në tryezën e negociatave”, u shpreh ai.

Ai theksoi se synimi i Washingtonit është që takimet e ardhshme të zhvillohen në një format shumëpalësh, me përfshirjen edhe të negociatorëve evropianë.

Sipas Kushnerit, delegacionet amerikane dhe ukrainase zhvilluan diskutime të mira edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe NATO-s gjatë negociatave në Abu Dhabi. /Telegrafi/