Një profesor universitar në krye të Kuvendit dhe ish-presidenti në opozitë, Aleksandër Çupiq i Listës Studentore u zgjodh me 140 vota, duke shënuar një hap tjetër në kalimin institucional të pushtetit në Serbi.
Megjithatë, përplasjet politike vazhduan.
“Do të përpiqem t’i bind të dy grupet se detyra ime e vetme është të siguroj që puna e Kuvendit të jetë në përputhje me ligjin. Lista Studentore synon që institucionet ta kryejnë punën e tyre. Shpresoj se tani është koha të tregojmë se si bëhet kjo, të marrim përgjegjësi dhe të jemi në lartësinë e kësaj detyre”, tha Aleksandër Çupiq, Kryetar i Kuvendit të Serbisë.
Pas katërmbëdhjetë vjetësh në pushtet, SNS-ja po përballet me rolin e opozitës. Gjatë seancës treditore, Aleksandër Vuçiq mbajti fjalime të gjata me kritika ndaj shumicës së re. Njëkohësisht, njoftoi se nuk do ta kalojë të gjithë mandatin në Kuvend, për t’u hapur rrugë më të rinjve. Të gjashtë postet e nënkryetarëve i mori Lista Studentore. Deputetët e koalicionit rreth Vuçiqit u larguan gjatë votimit, ndërsa Ana Bërnabiq akuzoi shumicën për kufizim të lirisë së fjalës.
“Në këtë Kuvend nuk ka më liri të fjalës. Për çdo gjë që nuk i pëlqen Listës Studentore, aty është kryetari i tyre i Kuvendit, me sa duket diktatori suprem, për të ndërprerë fjalën, për të paralajmëruar dhe për të shqiptuar vërejtje”, tha Ana Bërnabiq, deputete e opozitës.
Ndryshimi i pushtetit po shoqërohet edhe me mesazhe nga partnerët evropianë. SNS-ja përballet me propozimin për pezullim nga Partia Popullore Evropiane, e cila kërkon shkëputjen e lidhjeve me Putinin, distancimin nga Pekini dhe angazhim për integrimin evropian.
Sipas Bërnabiqit, pezullimi nuk nënkupton përjashtim. Për drejtuesit e rinj të Kuvendit, mesazhi nga Brukseli ishte gatishmëria për bashkëpunim.
Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, përgëzoi Çupiqin, duke veçuar sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe institucionet demokratike. Mbetet të shihet si do t’i kthejë Lista Studentore premtimet për reforma në vendime konkrete dhe si do të pozicionohet ndaj Rusisë, Kinës dhe BE-së.
Burimi: RTKLive
