Kuvendi miraton në parim buxhetin prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027

Kuvendi miraton në parim buxhetin prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027

Written by

in

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, pas një debati të gjatë mes pushtetit dhe opozitës, i cili zgjati deri pas mesnatës.

Projektbuxheti mori 61 vota për, ndërsa diskutimet u karakterizuan nga përplasje për politikat ekonomike, investimet kapitale, pagat dhe masat sociale.

Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026. Gjatë prezantimit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dokumenti synon ta çojë Kosovën në një fazë të re të transformimit ekonomik, duke përfshirë rritjen e pagave, mbështetjen e familjeve dhe investimet në infrastrukturë.

Një nga masat kryesore të prezantuara nga Kurti është pagesa e pagës së 13-të për punonjësit publikë dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027. Për kategorinë e pagave janë planifikuar 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa sipas kryeministrit, kjo shumë për rreth 85 mijë punonjës publikë përkthehet në një pagë mesatare bruto prej mbi 1 mijë eurosh në muaj.

Projektbuxheti parasheh gjithashtu rritjen e shtesave për fëmijë me 25 për qind nga 1 janari 2027, si fazë e parë e një plani katërvjeçar që synon dyfishimin e tyre deri në vitin 2030. Sipas Kurtit, familjet me 2 fëmijë që aktualisht marrin 60 euro në muaj do të përfitojnë 75 euro, ndërsa ato me 4 fëmijë do të marrin 225 euro, nga 180 euro sa përfitojnë aktualisht.

Në kategorinë e investimeve kapitale janë paraparë mbi 1 miliard euro, të cilat, sipas Qeverisë, do të orientohen në projekte rrugore, ujore dhe mjedisore. Ndër projektet e përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë, Autoudha e Dukagjinit dhe ndërtimi i digave të reja. Kurti bëri të ditur gjithashtu se buxheti për udhëtimet zyrtare jashtë vendit është përgjysmuar, ndërsa mjetet e kursyera janë orientuar për barna esenciale.

Megjithatë, opozita e kundërshtoi qasjen e Qeverisë, duke vlerësuar se rritja nominale e buxhetit nuk garanton zhvillim ekonomik. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se buxheti është rreth 7 për qind më i lartë se ai i vitit 2026, por kjo rritje, sipas tij, neutralizohet nga inflacioni. Ai kritikoi orientimin drejt ndihmave sociale dhe kërkoi investime më të mëdha në energji, arsim, teknologji dhe infrastrukturë, duke propozuar rritjen e koeficientit të pagave në 150 euro.

Kritika pati edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti Arben Mustafa tha se problemi kryesor nuk është shuma e mjeteve të planifikuara, por rezultatet e investimeve, duke përmendur zvarritjen e autostradës Prishtinë–Gjilan dhe projekteve të tjera infrastrukturore. Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku kërkoi llogaridhënie për premtimet e mëhershme të Qeverisë, përfshirë ndërtimin e 160 çerdheve, 4 mijë banesave për familjet e reja dhe modernizimin e hekurudhave.

Deputetet e AAK-së, Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj, vlerësuan se projektbuxheti është më shumë konsumues sesa zhvillimor. Haxhiu ngriti shqetësimin për ndikimin e inflacionit, ndërsa Kadrijaj kritikoi mungesën e financimit për hekurudhën Prishtinë–Durrës dhe realizimin e ngadalshëm të projekteve kapitale. Nga LDK-ja, Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se granti për arsim është zvogëluar, pavarësisht se Qeveria e paraqet këtë sektor si prioritet.

Në përgjigje të kritikave, ministri i Financave, Hekuran Murati, mbrojti politikat ekonomike dhe sociale të Qeverisë, duke deklaruar se numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 450 mijë gjatë mandatit të tyre. Ai tha se mbështetja financiare është përqendruar te fëmijët dhe pensionistët, ndërsa për personat e aftë për punë janë krijuar mundësi punësimi. Deputeti i LVV-së, Enver Haliti, e cilësoi buxhetin si pasqyrim të programit qeverisës, duke theksuar se ai mbështetet në të hyrat e rregullta.

Debati për projektbuxhetin u shoqërua edhe me ndërprerje të përkohshme për shkak të mungesës së energjisë elektrike në Kuvend, ndërsa diskutimet për sektorin energjetik vazhduan edhe pas mesnatës. Përkundër kundërshtimeve të opozitës, shumica parlamentare siguroi votat për miratimin në parim të dokumentit, i cili duhet të kalojë edhe procedurat e mëtejshme parlamentare para miratimit përfundimtar. /KP/