
La Liga vazhdon sot me katër ndeshje, por vëmendja kryesore është te sfida e mbrëmjes mes Real Madridit dhe Sevillas.
Pas fitores bindëse 5-2 ndaj Betisit, Barcelona është shkëputur në krye të tabelës, duke ia shtuar presionin rivalit madrilen.
Osasuna – Racing Santander, ora 14:00
Dueli i parë i ditës përball dy skuadra që kërkojnë pikë për t’u larguar nga pjesa e poshtme e tabelës.
Osasuna është e 16-ta me tetë pikë, ndërsa Racing renditet i 15-ti, po ashtu me tetë pikë.
Celta Vigo – Alaves, ora 16:15
Celta kërkon fitore para tifozëve të saj për t’u ngjitur në tabelë, ndërsa Alaves vjen në këtë përballje nga pozita e shtatë me 11 pikë.
Mysafirët synojnë të vazhdojnë sezonin pozitiv dhe të afrohen me zonën evropiane.
Malaga – Real Sociedad, ora 18:30
Real Sociedad synon të marrë tri pikët në udhëtim për të vazhduar ngjitjen në tabelë.
Mysafirët janë të gjashtët me 13 pikë, ndërsa Malaga gjendet në fund të renditjes me vetëm katër pikë dhe ka nevojë urgjente për rezultat pozitiv.
Kjo është ndeshja që pritet me interesin më të madh të mbrëmjes.
Real Madridi nuk guxon të gabojë në Santiago Bernabeu, pasi Barcelona ka fituar 5-2 ndaj Betisit dhe është shkëputur në krye me 27 pikë, plot nëntë më shumë se Reali, që ka një ndeshje më pak.
Skuadra madrilene renditet e katërta me 18 pikë dhe duhet të fitojë për ta mbajtur gjallë ndjekjen e Barcelonës në garën për titull.
Çdo hap i gabuar do ta vështirësonte edhe më shumë misionin e rikthimit në garën për vendin e parë. Megjithatë, Sevilla nuk është kundërshtar për t’u nënvlerësuar.
Andaluzianët renditen të pestët me 14 pikë dhe, me një fitore në Madrid, do të afroheshin ndjeshëm me rivalin e tyre.
Reali ka avantazhin e fushës, por presioni për të marrë tri pikët është i madh.
Për madrilenët, objektivi është i qartë: fitore dhe vazhdim i ndjekjes së Barcelonës, përpara përballjes së drejtpërdrejtë mes dy rivalëve në El Clasico javën e ardhshme./Klankosova.tv