Lajm i keq për Barcelonën, Raphinha ftohet nga Brazili pas një serie lëndimesh

Lajm i keq për Barcelonën, Raphinha ftohet nga Brazili pas një serie lëndimesh

Written by

in

Brazili e ka publikuar listën e futbollistëve për ndeshjet e muajit nëntor, ndërsa për Barcelonën lajmi më shqetësues është përfshirja e Raphinhas, i cili sapo është rikthyer nga lëndimi.

Përzgjedhësi Carlo Ancelotti ka ftuar 26 lojtarë për miqësoret ndaj Japonisë dhe Singaporit, duke vazhduar me planin për të ndërtuar një skuadër të re pas zhgënjimit në Kupën e Botës dhe përgatitjet për turneun e vitit 2030.

“Është koha për të vëzhguar, për ta freskuar skuadrën dhe për t’i ndihmuar lojtarët e rinj të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, deklaroi Ancelotti të enjten.

Megjithatë, tifozët e Barcelonës shpresonin që Raphinha të mos ishte pjesë e listës, pasi sulmuesi anësor ka pasur probleme të vazhdueshme fizike dhe ka nevojë për më shumë kohë për t’u rikuperuar plotësisht.

29-vjeçari sapo është rikthyer në dispozicion të Hansi Flickut, pasi pësoi një tjetër lëndim në muskujt e pasmë të kofshës gjatë grumbullimit të Brazilit në shtator. Ai ka luajtur vetëm në dy ndeshje si titullar për Barcelonën që nga 19 shtatori.

Shqetësimi i klubit katalunas lidhet edhe me historinë e fundit të lëndimeve të Raphinhas gjatë angazhimeve me kombëtaren. Në tri grumbullimet e fundit me Brazilin, ai është kthyer me probleme fizike.

Gjatë pushimit ndërkombëtar në mars, sulmuesi pësoi një lëndim në kofshë që e mbajti jashtë fushave për më shumë se një muaj. Për pasojë, ai humbi ndeshje të rëndësishme të Barcelonës, përfshirë të dyja përballjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, ku katalunasit u eliminuan.

Problemet vazhduan edhe gjatë verës, kur Raphinha pësoi një tjetër lëndim në të njëjtën zonë dhe nuk luajti në tri ndeshjet e fundit të Brazilit në turneun e Kupës së Botës.

Tani, te Barcelona ekziston frika se një tjetër angazhim me kombëtaren mund t’ia ndërpresë sërish ritmin sulmuesit, pikërisht në një periudhë vendimtare të sezonit.

Pas pushimit të fundit ndërkombëtar të vitit, katalunasit i presin sfida të rëndësishme, përfshirë përballjen me Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve më 8 dhjetor. Barcelona gjithashtu nuk ka hapësirë për gabime në La Liga, pasi humbja nga Real Madridi në El Clasico e ka zvogëluar epërsinë në vetëm tri pikë.

Për këtë arsye, Flick do të shpresojë që Raphinha të kalojë grumbullimin me Brazilin pa probleme dhe të kthehet në Barcelonë në gjendje të mirë fizike.

Ancelotti ka lënë jashtë listës disa lojtarë me përvojë, përfshirë portierin Alisson, duke shpjeguar se nuk ka nevojë ta testojë atë, pasi e njeh mirë dhe pret ta ftojë për Kupën e Amerikës.

Lista e Brazilit për ndeshjet e nëntorit:

Portierë: Bento, Lucas Perri, Morisco.

Mbrojtës: Arthur Dias, Carlos Augusto, Douglas Santos, Gabriel Magalhaes, Jair Cunha, Jonathan Jesus, Vanderson, Vitor Reis, Wesley.

Mesfushorë: André Luiz, Andrey Santos, Bruno Guimaraes, Danilo Santos, Gabriel Bontempo, Joao Gomes, Marlon Gomes.

Sulmues: Alisson Santana, Allan, Endrick, Estevao, Raphinha, Rayan, Vinicius Junior./Telegrafi/