
Pacientët e rajonit të Pejës nuk do të kenë më nevojë të bredhin spitaleve të tjera për vendosjen e protezave të gjurit dhe të kërdhokullës, pasi ky shërbim i rëndësishëm tashmë ka nisur të realizohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, pas furnizimit me proteza nga SHSKUK-ja, ky institucion shëndetësor ka hyrë tashmë në javën e tretë të kryerjes me sukses të këtyre ndërhyrjeve kirurgjike.
Rastet e para të vendosjes së protezave janë kryer nga mjekët Dr. Shkumbin Berisha dhe shefi i Repartit të Ortopedisë, Dr. Florim Bajraktari, të asistuar nga Dr. Valdrin Komoni dhe Dr. Valdrin Gashi, në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e Anestezionit dhe instrumentarët.
Nga spitali bëjnë të ditur se Reparti i Ortopedisë numëron katër mjekë specialistë ortopedë, të cilët janë të përgatitur dhe të trajnuar për realizimin e këtyre operacioneve, duke u ofruar kështu pacientëve trajtim më të shpejtë dhe më afër vendbanimit.
Po ashtu, drejtuesit e spitalit kanë garantuar se lista e pritjes për vendosjen e protezave do të respektohet në mënyrë strikte, sipas radhës së paraqitjes së pacientëve, me qëllim të sigurimit të transparencës së plotë dhe trajtimit të barabartë për të gjithë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali