Barcelona vazhdon ta mbajë në radar Erling Haalandin, i cili mbetet një nga dëshirat më të mëdha të presidentit Joan Laporta për të ardhmen e klubit katalanas.
Ndonëse transferimi i sulmuesit norvegjez nga Manchester City duket një mision tejet i vështirë, disa rrethana kanë bërë që në ambientet e Barcelonës të mos shuhet plotësisht shpresa për ta sjellë atë në “Camp Nou”.
Interesimi i klubit katalanas për Haalandin nuk është i ri. Laporta kishte tentuar të shqyrtonte mundësinë e transferimit të tij edhe në kohën kur norvegjezi ishte pjesë e Borussia Dortmundit, por në fund sulmuesi zgjodhi Manchester Cityn. Megjithatë, presidenti i Barcelonës nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për futbollistin, të cilin e sheh si një përforcim që do t’i jepte një dimension tjetër projektit sportiv të klubit.
Sipas gazetarit Jose Alvarez nga emisioni “El Chiringuito”, Haaland është një prej emrave që pëlqehet shumë nga drejtuesit e Barcelonës në kuadër të planeve për të ardhmen. Madje, ekzistojnë tri rrethana që mund ta favorizojnë një lëvizje të mundshme të sulmuesit drejt futbollit spanjoll.
Faktori i parë lidhet me dëshirën e vetë Haalandit për të jetuar dhe luajtur në Spanjë. Sulmuesi norvegjez ka shprehur më herët interesimin për futbollin spanjoll, ndërsa në të kaluarën kishte vizituar edhe ambientet e dy gjigantëve të këtij vendi, Barcelonës dhe Real Madridit.
Një tjetër element që mund të ndikojë në këtë çështje është marrëdhënia e mirë mes përfaqësuesve të futbollistit dhe presidentit Joan Laporta.
Sipas raportimeve të gazetarit Alvarez, mes palëve ekziston një raport shumë pozitiv, ndërsa nga rrethi i lojtarit është lënë të kuptohet se do të ishte e vështirë t’i thuhej jo presidentit katalanas. Një afërsi e tillë mund të lehtësonte kontaktet në rast se në të ardhmen do të hapej mundësia për largimin e tij nga Manchester City.
Faktori i tretë lidhet me situatën që po kalon klubi anglez. Vështirësitë dhe pasiguria rreth projektit sportiv të Manchester Cityt kanë nxitur spekulime për ndryshime të mundshme në të ardhmen. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Haaland ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga “Etihad Stadium”.
Pengesë kryesore për Barcelonën mbetet aspekti financiar. Haaland ka kontratë me Manchester Cityn deri në qershor të vitit 2034, ndërsa vlera e tij në treg vlerësohet rreth 220 milionë euro. Një shumë e tillë do ta bënte transferimin jashtëzakonisht të vështirë për klubin katalanas, i cili vazhdon të përballet me kufizime financiare dhe duhet të jetë shumë i kujdesshëm në investimet e mëdha.
Përveç shumës së transferimit, Barcelona do të duhej të përballonte edhe pagën e lartë të sulmuesit, bonuset dhe shpenzimet e tjera që do ta shoqëronin një marrëveshje të kësaj përmase. Për këtë arsye, pavarësisht interesimit dhe rrethanave që mund ta favorizojnë një lëvizje të tillë, deri më tani nuk ka negociata të konfirmuara apo ofertë zyrtare në drejtim të Manchester Cityt.
Në anën tjetër, Barcelona ka nevojë për një sulmues të nivelit të lartë, i cili mund të garantojë gola dhe të bëhet pika kryesore e repartit ofensiv për vitet e ardhshme. Haaland konsiderohet një prej futbollistëve më të mirë në botë në këtë pozitë, falë fuqisë fizike, shpejtësisë, lëvizjeve pa top dhe instinktit të jashtëzakonshëm para portës.
Kësisoj, transferimi i norvegjezit mbetet një ëndërr e madhe për Joan Laportën dhe tifozët e Barcelonës. Dëshira për ta parë Haalandin me fanellën katalanase ekziston, ndërsa raportet e mira me rrethin e tij mund të luajnë një rol në të ardhmen.
Megjithatë, bindja e Manchester Cityt për ta liruar yllin e skuadrës dhe gjetja e një formule të përballueshme financiare mbeten dy pengesat kryesore që e bëjnë këtë transferim, për momentin, shumë larg realitetit. /Telegrafi/