
Avokati Besnik R. Berisha, njëherit kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka reaguar me një kritikë të fortë ndaj gjendjes aktuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke paralajmëruar se partia e Ibrahim Rugovës rrezikon të humbasë aftësinë për të qenë alternativë serioze politike, nëse nuk përballet me përgjegjësinë për humbjet dhe dobësimin e saj.
Në një qëndrim personal, Berisha ka vlerësuar se kriza e LDK-së është shumë më e thellë sesa rezultatet zgjedhore dhe se shqetësimi kryesor duhet të jetë humbja e peshës së fjalës, e autoritetit politik dhe e besimit të qytetarëve.
“LDK-ja nuk rrezikon të mbetet pa histori. Rrezikon të mbetet vetëm me histori!”, është paralajmërimi me të cilin ai e nis reagimin.
Duke iu referuar polemikave të fundit për fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Berisha ka thënë se debati për vendosjen e saj duhet të shërbejë si pikënisje për një reflektim më serioz mbi atë që LDK-ja përfaqëson sot.
“Fotografia e Rugovës meriton respektin dhe vendin që i takon. Por mua nuk më shqetëson vetëm se ku vendoset fotografia e tij. Më shqetëson se sa pak nga filozofia e tij politike po arrin të dëshmohet sot në mënyrën se si LDK-ja mendon, vepron dhe përfaqësohet”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, trashëgimia politike e Rugovës nuk mund të ruhet vetëm përmes simboleve dhe përkujtimeve, nëse mungojnë parimet që e kanë karakterizuar filozofinë e tij politike.
“Rugovizmi nuk është një fotografi në mur, as një emër që përmendet në përvjetore. Është kulturë politike, maturi në vendimmarrje, guxim për të mbajtur qëndrime dhe aftësi për të ndërtuar besim edhe përtej radhëve të veta”, ka theksuar ai.
Berisha ka folur edhe për lidhjen e tij personale me LDK-në, duke kujtuar se i përket një brezi që këtë subjekt politik e ka njohur fillimisht përmes idealeve, sakrificës dhe besimit se politika mund të ushtrohet me dinjitet dhe përgjegjësi shtetërore.
Ai ka sqaruar se nuk ka aspirata personale në LDK dhe as interesa që do ta kushtëzonin të heshtte për zhvillimet brenda saj.
“Kam, megjithatë, një shqetësim të thellë për atë që ajo ka qenë, për atë që përfaqëson sot dhe, veçanërisht, për atë që rrezikon të bëhet nesër”, ka deklaruar Berisha.
Në pjesën më kritike të reagimit, ai ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si janë trajtuar humbjet e njëpasnjëshme të partisë dhe përgjegjësia e udhëheqjes për rezultatet politike.
“Kur dështimi përsëritet, ai pushon së qeni rastësi dhe bëhet çështje përgjegjësie. Kur përgjegjësia shmanget vazhdimisht, dobësimi rrezikon të shndërrohet në kulturë politike”, ka shkruar ai.
Berisha ka kritikuar edhe një kulturë politike ku, sipas tij, kritika rrezikon të trajtohet si pabesi, mendimi ndryshe si kërcënim dhe ruajtja e pozitave si dëshmi stabiliteti.
Ai ka kërkuar që LDK-ja të bëjë një shqyrtim të ndershëm të vetvetes, duke theksuar se ringritja nuk mund të vijë nga administrimi i gjendjes ekzistuese, por nga rikthimi i besimit, autoritetit dhe aftësisë për të frymëzuar.
Sipas tij, përgjegjësia nuk kufizohet te individët, por lidhet edhe me kulturën e drejtimit dhe mungesën e një vizioni që dëshmohet përmes rezultateve konkrete.
“Tragjedia politike e LDK-së nuk do të ishte humbja përballë kundërshtarëve. Do të ishte humbja graduale e aftësisë për të qenë alternativë ndaj tyre”, ka paralajmëruar Berisha.
Megjithatë, ai nuk e konsideron të humbur mundësinë e ringritjes së partisë, por paralajmëron se trashëgimia historike nuk mund ta zëvendësojë pafundësisht mungesën e rezultateve dhe autoritetit politik.
Në përmbyllje, Berisha ka kërkuar që LDK-ja të flasë më shumë për vendin që synon të ketë në të ardhmen e Kosovës sesa për vendin ku duhet të qëndrojë fotografia e Rugovës.
“Rugova i dha LDK-së një vend të veçantë në historinë tonë. Por askush, as vetë Rugova, nuk mund t’ua sigurojë përgjithmonë pasardhësve autoritetin që ata duhet ta fitojnë me punën, karakterin dhe vendimet e tyre”, ka theksuar ai.
Reagimin e ka përmbyllur me një mesazh që përmbledh kritikën e tij ndaj drejtimit aktual të partisë:
“Historia mund t’ia ruajë LDK-së vendin që ka pasur. Por nuk mund t’ia garantojë vendin që do të ketë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali