Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, i është përgjigjur akuzave të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë komunë lidhur me mungesën e ngrohjes në shkollën “7 Marsi”.
LDK-ja kishte pretenduar se nxënësit dhe mësimdhënësit po përballen me temperatura të ulëta për shkak të një defekti në sistemin e ngrohjes qendrore, i cili, sipas kësaj partie, nuk është rregulluar që nga pranvera.
Në një përgjigje për Telegrafin, Bajselmani ka thënë se ekziston një defekt në sistemin e ngrohjes, por ka theksuar se ekipet janë duke punuar për ta lokalizuar dhe riparuar atë.
“Është një defekt te nxehja aty, por është në proces të riparimit të defektit të ngrohjes dhe nuk ka asgjë më shumë. Është pajisur me dru, me atë që ka nevojë, por është vetëm një defekt që besoj se riparohet këto dy ditë, sot ose nesër”, ka deklaruar Bajselmani.
Ai ka mohuar se bëhet fjalë për një problem të vjetër, duke thënë se sistemi i ngrohjes kishte funksionuar gjatë vitit të kaluar dhe se defekti është raportuar së fundmi.
“Nuk është një problem i vjetër, sepse ajo vitin e kaluar ka funksionuar. Tash e kanë lajmëruar si defekt dhe janë duke punuar që ta gjejnë se ku është, pasi ende nuk e kanë lokalizuar. Andaj edhe duhet një ndërhyrje pak më ndryshe”, ka thënë ai.
Bajselmani ka folur edhe për pretendimet e LDK-së lidhur me lirimin e nxënësve para përfundimit të orarit mësimor. Sipas tij, bazuar në njoftimin e shkollës, nxënësit janë liruar vetëm gjatë dy orëve të fundit të ditës së kaluar.
“Sipas njoftimit të shkollës, vetëm dje i ka lëshuar dy orët e fundit, pa ndonjë arsye, pasi në mëngjes ka mundur të jetë pak më ftohtë, kurse në drekë nuk ka qenë aspak ftohtë”, ka deklaruar drejtori i Arsimit.
Sa i përket premtimit për ndërtimin e një shkolle të re, të cilin LDK-ja thotë se pushteti komunal nuk e ka realizuar, Bajselmani ka konfirmuar se projekti është në plan, por ka thënë se realizimi i tij kërkon kohë dhe mjete të konsiderueshme financiare.
“Ajo po, është edhe pjesë e premtimit nga Ministria e Arsimit edhe kryetari e ka premtuar, por si Suharekë i kemi të gjitha në rregull. Mirëpo, për atë objekt kemi nevojë. Ai është një objekt i madh, ku parashikohet që i gjithë projekti të kushtojë mbi tre milionë euro, andaj proceset shkojnë më ndryshe dhe nevojitet më shumë kohë”, ka thënë Bajselmani.
Ndërkaq, LDK-ja në reagimin e saj ka kërkuar që problemi i ngrohjes të zgjidhet me urgjencë, duke pretenduar se mungesa e saj po shkakton humbje të orëve mësimore dhe po rrezikon shëndetin e nxënësve. /Telegrafi/