Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj vendimit të presidentes së Kosovës, Shiroka-Pula, për largimin nga hapësirat e Presidencës të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë.
Në një reagim publik, LDK-ja e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm, duke theksuar se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
Sipas LDK-së, fotografia e Ibrahim Rugovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike dhe shtetërore dhe nuk duhet të trajtohen si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti.
Partia ka vlerësuar se Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit për një shtet të pavarur dhe sovran.
“Largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional. Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja ka kërkuar që vendimi të rishikohet dhe fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, bashkë me Deklaratën e Pavarësisë, të rikthehen në vendet e tyre të nderit në Presidencë.
Sipas kësaj partie, një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/