Legjenda e Sevillas pensionohet nga futbolli pas 20 vitesh karrierë

Legjenda e Sevillas pensionohet nga futbolli pas 20 vitesh karrierë

Written by

in

Ever Banega ka njoftuar zyrtarisht pensionimin nga futbolli profesionist në moshën 38-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere 20-vjeçare, gjatë së cilës fitoi edhe tre tituj të Ligës së Evropës me Sevillan.

Ish-mesfushori i Përfaqësueses së Argjentinës e bëri të ditur vendimin në një intervistë për ESPN, pas pjesëmarrjes në një ndeshje reviale të organizuar nga bashkëkombësi i tij, Sergio Aguero. Banega pranoi se kjo përvojë ia kishte përforcuar bindjen për t’i dhënë fund karrierës si futbollist.

“Kam thënë se isha 80 për qind i bindur për pensionimin, por pas ndeshjes së sotme jam plotësisht i sigurt se dua të tërhiqem. Po fillon një kapitull i ri i jetës sime dhe tani do ta shijoj futbollin nga jashtë fushës”, deklaroi ai.

Banega foli edhe për mundësinë e një transferimi te Inter Miami, ku do të kishte rastin të ribashkohej me ish-bashkëlojtarin e tij te Argjentina, Lionel Messi.

Megjithatë, mesfushori ishte i prerë se as një telefonatë nga ylli argjentinas nuk do ta ndryshonte vendimin e tij.

“Edhe nëse më telefonon Messi, do t’i them jo. Vendimi im është marrë”, theksoi Banega.

Pjesën më të rëndësishme të karrierës evropiane, argjentinasi e kaloi te Sevilla, me të cilën pati dy periudha.

Ai fitoi tri herë Ligën e Evropës dhe u shndërrua në një prej mesfushorëve më të dalluar në historinë e klubit spanjoll.

Gjatë karrierës së tij, Banega ishte pjesë edhe e skuadrave si Valencia, Atletico Madrid dhe Interi, ndërsa me Përfaqësuesen e Argjentinës regjistroi 65 paraqitje.

Në shtator të vitit 2020, ai u transferua te skuadra saudite Al-Shabab, ku qëndroi për katër sezone, përpara se të rikthehej në futbollin argjentinas.

Pas aventurave te Newell’s Old Boys dhe Defensa y Justicia, Banega ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij profesionale, duke lënë pas një rrugëtim të pasur me trofe dhe përvoja në futbollin evropian dhe atë ndërkombëtar. /Telegrafi/