Lëvizja Studentore në Maqedoni: Nuk na frikësoni me ndalesa në kufi, zëri i studentëve nuk do të heshtet

Lëvizja Studentore në Maqedoni: Nuk na frikësoni me ndalesa në kufi, zëri i studentëve nuk do të heshtet

Written by

in

Lëvizja Studentore në Maqedoninë e Veriut ka shprehur shqetësim për presionet dhe represionin institucional që po tentohet të ushtrohet ndaj studentëve dhe organizatave të tyre.

“Gjatë kalimit në pikën kufitare Bllacë, në kufirin me Kosovën, është ndaluar kryetari i Parlamentit Studentor, Besar Sejdiu, i cili po udhëtonte së bashku me studentë të tjerë për të marrë pjesë në aktivitete në Itali.

Pa asnjë arsye të qartë, Besar Sejdiu është veçuar nga grupi i studentëve dhe është shoqëruar nga zyrtarët kufitarë në ambientet e brendshme të pikës kufitare. Arsyetimi i dhënë ka qenë i pabazë dhe fyes, ndërsa mënyra e trajtimit të tij përbën një përpjekje të papranueshme për ta intimiduar dhe përt’i ushtruar presion. Ai është njoftuar se institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë vendosur në një listë për kontroll të veçantë, pa iu dhënë asnjë shpjegim se përse është vendosur në atë listë dhe mbi çfarë baze është ndërmarrë një veprim i tillë.

Për ne, ky veprim ngre dyshime serioze për presion të qëllimshëm institucional ndaj përfaqësuesve studentorë dhe përpjekje për t’i frikësuar e zbrapsur studentët nga kërkesat e tyre legjitime. Veçimi dhe shoqërimi i një përfaqësuesi studentor në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa njëarsyetim të qartë, nuk mund të kalohet në heshtje.

Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të sqarojnë publikisht mbi çfarë baze është vendosur Besar Sejdiu në këtë listë, kush e ka marrë këtë vendim dhe për çfarë arsye. Kush ka dhënë urdhër që një përfaqësues studentor të veçohet dhe të trajtohet në këtë mënyrë?”, thonë nga Lëvizja Stundetore.

Nga atje shtojnë se nëse dikush mendon se me ndalesa në kufi, presione dhe metoda frikësimi do ta heshtë zërin e studentëve, do të gabojnë rëndë dhe se ato do të vazhdojnë edhe më fuqishëm, edhe më të organizuar dhe edhe më të vendosur në kërkesat e tyre./Telegrafi/