Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke lëvizur i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike dhe 140 fishekë luftarakë, pa lejen përkatëse.
Arrestimi u krye në rrugën e fshatit “Allgjatë”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Guns 3”, të finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Sipas njoftimit të Policisë, ndërhyrja u bë pas administrimit të informacioneve operative për një person që lëvizte i armatosur në këtë zonë.
Në pranga përfundoi i mituri, banues në Vaqarr, i cili u kap në flagrancë duke mbajtur armën e zjarrit, të dyshuar si pushkë gjysmëautomatike, si dhe 140 fishekët luftarakë.
Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore dhe ligjore./euronews/