
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullatës civile.
Aktgjykimi është shpallur në Departamentin Special, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Donikë Shala-Abdyli.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Gjokoviqi ngarkohej se gjatë viteve 1998–1999, në Ozdrim dhe fshatrat përreth Pejës, në bashkëveprim me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kishte marrë pjesë në vrasje, tortura, arrestime, keqtrajtim dhe dëbim të civilëve shqiptarë.
Aktakuza përshkruan operacionin e 7 majit 1999, kur forcat serbe kishin rrethuar Ozdrimin dhe e kishin sulmuar nga tri drejtime. Sipas Prokurorisë, gjatë këtij operacioni ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë, ndërsa tre të plagosur ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në Lutogllavë.
Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet edhe vrasja e pesë personave të tjerë, trupat e të cilëve nuk ishin gjetur dhe figuronin në listën e personave të zhdukur.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, rreth 40 persona ishin arrestuar dhe mbajtur për tri ditë në kushte çnjerëzore në garazhin e njohur si “Shupa e Shemit”, pranë nënstacionit policor në Ozdrim.
Prokuroria pretendonte se të ndaluarit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm dhe ishin torturuar. Pas tri ditësh, 12 prej tyre ishin liruar, ndërsa 28 të tjerët ishin transferuar në Pejë dhe më pas në Burgun e Leskovcit në Serbi.
Gjokoviqi, i njohur me nofkën “Mici”, gjatë procesit ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa mbrojtja kishte kundërshtuar përfshirjen e tij në ngjarjet e përshkruara nga Prokuroria.
Gjykimi ishte rihapur më 27 korrik 2026, në ditën kur fillimisht pritej shpallja e aktgjykimit, për plotësimin e procedurës lidhur me një deklaratë të dëshmitares Nurije Krasniqi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali