LEX | Akuzohej për marrjen e 100 eurove ryshfet për provimin e vozitjes, Gjykata hedh aktakuzën ndaj Bashkim Jetullahut

LEX | Akuzohej për marrjen e 100 eurove ryshfet për provimin e vozitjes, Gjykata hedh aktakuzën ndaj Bashkim Jetullahut

Written by

in

LEX | Akuzohej për marrjen e 100 eurove ryshfet për provimin e vozitjes, Gjykata hedh aktakuzën ndaj Bashkim Jetullahut

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ka hedhur aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale ndaj Bashkim Jetullahut, i cili akuzohej për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Sipas aktvendimit që ka siguruar Gazeta Sinjali, gjyqtari Blerim Halimi ka konstatuar se Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se Jetullahu ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pretendimi për dhënien e 100 eurove brenda veturës

Sipas aktvendimit, prova e vetme që inkriminonte veprimet e Jetullahut ishte deklarata e dëshmitarit bashkëpunues, Egzon Raqi, i cili pretendonte se i kishte dhënë 100 euro para provimit të vozitjes.

“Këto 100 euro ditën që kam pas me hy në vozitje ja kam dhënë Bashkimit. Ja kam dhënë në veturën e tij te kazerma e FSK ‘Adem Jashari’, kemi qenë në veturën e tij të tipit Opel Corsa”, thuhet në deklaratën e dëshmitarit, të përfshirë në aktvendim.

Megjithatë, gjykata ka konstatuar se dëshmitari nuk kishte dhënë sqarime të mjaftueshme lidhur me kohën e kryerjes së pretenduar të veprës penale dhe numrin e saktë të poenëve.

Gjithashtu, Prokuroria nuk kishte arritur të siguronte numrat serikë të bankënotave që pretendohej se i ishin dhënë Jetullahut.

Edhe 30 të bashkakuzuarit e tjerë ishin liruar nga akuzat

Nga aktvendimi rezulton se Jetullahu kishte qenë i bashkakuzuar me 30 persona të tjerë, ndaj të cilëve Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues.

Sipas gjykatës, provat e prezantuara nga Prokuroria në atë procedurë ishin mbledhur në mënyrë të kundërligjshme, për çka ishin shpallur të papranueshme.

Prokuroria nuk u deklarua ndaj kërkesës së mbrojtjes

Jetullahu ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare, ndërsa mbrojtja e tij kishte parashtruar kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndonëse Prokuroria e kishte pranuar kërkesën, sipas aktvendimit, nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën për t’u deklaruar lidhur me të.

Gjykata: Dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues nuk mjafton për shpalljen e fajësisë

Në arsyetimin e vendimit, gjykata i është referuar nenit 257, paragrafit 4 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit një person nuk mund të shpallet fajtor vetëm mbi bazën e dëshmisë së dëshmitarit bashkëpunues.

Gjykata ka evidentuar gjithashtu se Jetullahu nuk kishte pasur mundësi ta kundërshtonte këtë deklaratë në asnjë fazë të procedurës penale.

Në mungesë të provave të mjaftueshme, gjykata ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, duke hedhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale ndaj Bashkim Jetullahut.

Shpenzimet e procedurës penale i janë ngarkuar buxhetit të gjykatës.

Kundër këtij aktvendimi lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit brenda dhjetë ditëve nga pranimi i tij.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali