
Rasti ndaj dy ish-hetuesve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani, është shqyrtuar sot në Gjykatën e Apelit, pas dënimeve të shqiptuara ndaj tyre në rigjykim.
Avokati Besnik R. Berisha, mbrojtës i Menxhiqit, ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke pretenduar shkelje dhe duke thënë se provat janë mbështetur në supozime.
Sipas mbrojtësit, Menxhiqi kishte krijuar armiqësi për shkak të punës së tij në hetimin e krimeve ekonomike. Berisha ka pretenduar se persona që nuk kishin arritur ta korruptonin, kishin tentuar ta largonin në forma të ndryshme.
“Ata që s’kanë mundur ta blejnë, kanë tentuar ta largojnë në forma të ndryshme”, ka thënë Berisha.
Këto pretendime të mbrojtjes u paraqitën gjatë shqyrtimit të rastit, i cili ka mbërritur për herë të dytë para gjykatës së shkallës së dytë.
Dënimet në rigjykim
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Menxhiqin me pesë vjet burgim dhe katër mijë euro gjobë, ndërsa Osmanin me gjashtë vjet burgim dhe katër mijë euro gjobë.
Të dyve u ishte shqiptuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo në shërbimin publik për pesë vjet.
Për çfarë akuzohen ?
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 qershor 2020, Menxhiqi dhe Osmani akuzohen se, në cilësinë e hetuesve policorë, kishin pranuar ryshfet në këmbim të mosndërmarrjes së veprimeve kundër veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Dy ish-hetuesit ishin arrestuar në shkurt të vitit 2020, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Apeli ua kishte anuluar dënimet e para
Në gjykimin e parë, në shkurt të vitit 2022, Menxhiqi ishte dënuar me pesë vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Osmani me gjashtë vjet e gjashtë muaj, si dhe me nga katër mijë euro gjobë.
Më 3 maj 2023, Apeli e kishte anuluar atë aktgjykim dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim. Pas rigjykimit, ndaj tyre u shqiptuan dënimet që tashmë po kundërshtohen në shkallën e dytë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali