
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj Miljojko Djorgjevic, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Zveçan gjatë viteve 1998–1999.
Shkak për mosmbajtjen e seancës është bërë mosdorëzimi i shkresave të lëndës nga Prokuroria Speciale tek avokati mbrojtës i të akuzuarit.
Për këtë arsye, mbrojtja ka deklaruar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës fillestare.
Seanca ishte paraparë të mbahej sot në Departamentin Special, nën drejtimin e gjyqtarit Kushtrim Shyti.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2026, Djorgjevic dyshohet se gjatë viteve 1998–1999, në cilësinë e komandantit të Repartit Policor në përbërjen rezervë në komunën e Zveçanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka kryer krime kundër popullsisë civile.
Prokuroria pretendon se i akuzuari, nën përgjegjësinë individuale dhe komanduese, ishte përfshirë në vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali