
Seanca gjyqësore ndaj dy zyrtarëve policorë, A.Sh. dhe S.K., të akuzuar për marrje ryshfeti, është shtyrë në Gjykatën Themelore në Pejë, për shkak të mungesës së prokurorit të rastit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, seanca e paraparë për 14 tetor 2026, në Departamentin për Krime të Rënda, nuk është mbajtur pasi prokurori kishte njoftuar paraprakisht se për arsye familjare nuk mund të merrte pjesë.
Rasti lidhet me dy zyrtarë policorë të Njësisë së Trafikut në Pejë, ndaj të cilëve Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzë më 21 maj 2025 për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Si dyshohet se ndodhi rasti?
Sipas aktakuzës, më 20 prill 2025, në fshatin Poterq të Klinës, dy policët kishin ndaluar një automjet të tipit Golf 8 për tejkalim të shpejtësisë.
Në vend që shoferit t’i shqiptonin gjobë sipas procedurave ligjore, ata dyshohet se i kishin kërkuar para për të shmangur ndëshkimin.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, shoferit i ishte kërkuar që shumën prej 20 eurosh ta dërgonte përmes një pompe të derivateve në Pejë.
Një punonjës i pompës kishte pranuar kartëmonedhën, të cilën më pas dyshohet se ia kishte dorëzuar zyrtarit policor A.Sh.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, kishte kërkuar që të dy të akuzuarit të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin sipas ligjit, si dhe ndaj tyre të shqiptohej ndalimi i ushtrimit të profesionit.
Megjithatë, procesi gjyqësor nuk ka mundur të vazhdojë në seancën e 14 tetorit, për shkak të mungesës së prokurorit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | Dy policët që dyshohet se kërkuan ryshfet për të mos shqiptuar gjobë – Dështon gjykimi në Pejë, mungoi prokurori appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali