
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Fehim Salit, mësimdhënësit nga Dragashi që dyshohet për spiunazh në favor të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Çfarë dyshon Prokuroria Speciale?
Sipas kërkesës fillestare për paraburgim, Prokuroria dyshon se Sali ishte rekrutuar nga BIA dhe se, për një periudhë të papërcaktuar deri më 13 gusht 2026, i kishte dhënë vazhdimisht informacione këtij shërbimi me qëllim të përfitimit material.
Prokuroria pretendon se informacionet kishin të bënin me situatën politike në Kosovë. Sali dyshohet gjithashtu se kishte fotografuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për t’i identifikuar.
Sali u arrestua më 13 gusht në pikën kufitare në Merdarë. Të nesërmen, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën fillestare të paraburgimit prej një muaji.
Sali punonte si mësimdhënës në Rapçë të Dragashit. Më herët kishte përfaqësuar komunitetin goran në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës, nga i cili u shkarkua më 3 maj 2024.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali