
Drejtësia nga Sinjali
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj Emin Plakajt, zyrtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dhe Skender Jetishit, avokat, në rastin ku Prokuroria dyshon se u kërkuan 10 mijë euro për të ndikuar në vendimmarrjen e një gjyqtari të Apelit.
Departamenti për Krime të Rënda caktoi nga një muaj arrest shtëpiak edhe ndaj dy të pandehurve të tjerë, të identifikuar në njoftimin e Gjykatës me inicialet A.D. dhe S.M. Gazeta Sinjali ka raportuar më herët se në mesin e të ndaluarve në këtë rast ishte edhe Sulltan Mehmeti.
Sipas Gjykatës, Plakaj dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Jetishi për pranim të ryshfetit në sektorin privat. Të dy dyshohen edhe për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Dyshimi i Prokurorisë është se Plakaj dhe Jetishi i kërkuan 10 mijë euro një qytetari për të ndikuar në vendimin e një gjyqtari të Apelit në një kontest për shpronësim. Hetimi përfshin edhe dyshimet se Plakaj, A.D. dhe S.M. ndërhynë në një konkurs punësimi në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Gjykata njoftoi se dy të pandehurve nën arrest shtëpiak u janë marrë pasaportat, ndërsa zbatimin e masës do ta mbikëqyrë Policia në Ferizaj dhe në Gjakovë. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata përmendi rrezikun e ikjes, të ndikimit te dëshmitarët dhe provat, si dhe të përsëritjes së veprës penale ose kryerjes së veprave të tjera. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali