LEX | Kërkohet përjashtimi i gjyqtarit në rastin e Nagip Krasniqit – Ndërpritet seanca ku pritej të dëshmonte Dejona Mihali

LEX | Kërkohet përjashtimi i gjyqtarit në rastin e Nagip Krasniqit – Ndërpritet seanca ku pritej të dëshmonte Dejona Mihali

Written by

in

LEX | Kërkohet përjashtimi i gjyqtarit në rastin e Nagip Krasniqit – Ndërpritet seanca ku pritej të dëshmonte Dejona Mihali

Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dhe të akuzuarit tjetër, Isuf Zejna, është ndërprerë këtë të hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi mbrojtja e Krasniqit kërkoi përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Gazeta Sinjali raporton se në seancën e sotme, më 12 tetor 2026, ishte planifikuar të dëshmonte Dejona Mihali, mirëpo dëshmia e saj nuk u dëgjua për shkak të kërkesës së mbrojtjes.

Avokati i Nagip Krasniqit, Florian Petani, kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit e arsyetoi me pretendimet për cenim të parimit të paanshmërisë.

Sipas mbrojtjes, në aktgjykimin e marrë ndaj Ymer Dragushës janë bërë konstatime faktike dhe juridike që, sipas tyre, vënë në dyshim paanshmërinë objektive të kryetarit të trupit gjykues.

Petani deklaroi se mbrojtja ka dorëzuar gjatë mëngjesit kërkesën me shkrim për përjashtimin e gjyqtarit, pasi ishte pajisur me aktgjykimin ndaj Dragushës.

Ai theksoi se kishin kërkuar një kopje të këtij aktgjykimi që nga muaji gusht, por nuk e kishin siguruar më herët.

Mbrojtja pretendon se përmbajtja e aktgjykimit ndaj Dragushës mund të ndikojë në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj Nagip Krasniqit.

Prokuroria kundërshton pretendimet e mbrojtjes

Në anën tjetër, prokurori special Ilir Morina deklaroi se nuk ishte pajisur me një kopje të kërkesës për përjashtim dhe për këtë arsye nuk mund të deklarohej në mënyrë të plotë lidhur me bazën e saj ligjore.

Megjithatë, ai i cilësoi të pabazuara pretendimet e mbrojtjes, duke theksuar se aktgjykimi ndaj Ymer Dragushës lidhet kryesisht me marrëveshjen e tij me Prokurorinë.

Morina shtoi se, pas veçimit të procedurës ndaj Dragushës, bëhet fjalë për një çështje tjetër procedurale.

Pas deklarimeve të palëve, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, mori aktvendim për ndërprerjen e seancës gjyqësore, ndërsa shkresat e lëndës do t’i përcillen për shqyrtim dhe vendimmarrje lidhur me kërkesën për përjashtim.

Dejona Mihali mbetet pa dëshmuar

Në këtë seancë ishte paraparë dëgjimi i Dejona Mihalit në cilësinë e dëshmitares, mirëpo zhvillimet procedurale pamundësuan marrjen e dëshmisë së saj.

Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna po përballen me proces gjyqësor lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post LEX | Kërkohet përjashtimi i gjyqtarit në rastin e Nagip Krasniqit – Ndërpritet seanca ku pritej të dëshmonte Dejona Mihali appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali