
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Valon Berisha rrëfeu se si, gjatë luftës, ishte dërguar nga Hani i Elezit në një stacion të improvizuar policor në Kaçanik, ku tha se e kishin mbajtur të lidhur për radiator gjatë gjithë natës dhe e kishin keqtrajtuar. Ai dëshmoi në gjykimin ndaj ish-gardianit Boban Toniq, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Berisha tha se ishte dënuar me pesë vjet burgim për vepra penale që autoritetet e atëhershme i kishin cilësuar si terrorizëm. Duke rrëfyer për natën në Kaçanik, ai tha se keqtrajtimet vazhduan deri në mëngjes dhe se i maltretonin ata që hynin e dilnin nga stacioni.
Dëshmitari përmendi edhe një komandant policie në Han të Elezit, të cilin e identifikoi si “Boga”. Berisha tha se ai i kishte torturuar dhe se ishte vrarë gjatë luftës.
Berisha rrëfeu se gjatë bombardimeve mbahej në Burgun e Mitrovicës. Sipas tij, prej andej të burgosurit i morën me autobusë dhe i dërguan në Burgun e Nishit.
Prokuroria Speciale e ngriti aktakuzën ndaj Toniqit më 31 dhjetor 2025. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se, si gardian i Burgut të Prishtinës dhe i paraleles së tij në Lipjan, mori pjesë në keqtrajtimin sistematik të të burgosurve shqiptarë gjatë luftës. Një pjesë e aktakuzës trajton dhunën e pretenduar ndaj të burgosurve pas transferimit të tyre nga Dubrava në Lipjan.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali