LEX | “Nuk ka mundësi të ketë rënë nga krevati, sepse ishte larg dritares” – Dëshmia e recepsionistes së hotelit në gjykimin ndaj Endrit Nikës

LEX | “Nuk ka mundësi të ketë rënë nga krevati, sepse ishte larg dritares” – Dëshmia e recepsionistes së hotelit në gjykimin ndaj Endrit Nikës

Written by

in

LEX | “Nuk ka mundësi të ketë rënë nga krevati, sepse ishte larg dritares” – Dëshmia e recepsionistes së hotelit në gjykimin ndaj Endrit Nikës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë rigjykimit ndaj Endrit Nikës, ka dëshmuar Erza Limani, ish-recepcioniste e hotelit “Sonoma”, e cila ka rrëfyer momentet e natës kritike kur Maria Clara kishte rënë nga dritarja e hotelit.

Limani ka deklaruar se natën e ngjarjes ishte në ndërrimin e natës, të cilin e kishte filluar në orën 23:00, ndërsa Endrit Nikën dhe vajzën i kishte parë duke hyrë në hotel pas mesnatës.

“I kam parë vetëm natën kritike, kur kanë ardhur në hotel. Pas një ose dy orësh ka ndodhur rasti. Kur kanë hyrë, i kam përshëndetur dhe kanë vazhduar në dhomë. Nuk kam vërejtur diçka në sjelljen e tyre që të dyshoja”, ka dëshmuar ajo.

Sipas dëshmitares, rreth orës 02:00 kishte dëgjuar një krismë të fuqishme, e cila e kishte shtyrë të dilte për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Kam dëgjuar një krismë të madhe që më ka bërë të dal. E kam parë një vajzë në tokë, me xhama përreth saj, kornizën e dritares dhe patika”, ka deklaruar Limani.

Ajo ka treguar se menjëherë kishte telefonuar Ramiz Nuhën, i cili ndodhej një kat më lart, ndërsa në momentin kur kishte shkuar pranë vajzës, ajo ishte ende gjallë.

“Kur kam shkuar te vajza, ajo ka qenë gjallë dhe ka kërkuar ujë. Kjo ka ndodhur para se të zbriste roja. Pastaj ka ardhur edhe Endriti. Unë e kisha një shishe ujë në dorë, por nuk ia kam dhënë vajzës. Ia kam dhënë Endritit, i cili ishte afër saj. Nuk e di nëse ia ka dhënë për të pirë apo ia ka lagur fytyrën”, ka rrëfyer dëshmitarja.

Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së saj ishte edhe biseda që kishte zhvilluar me Endrit Nikën pas ngjarjes.

Sipas Limanit, Nika i kishte treguar se kishin qenë duke fjetur në dhomën 403 dhe se nuk e dinte se si kishte rënë vajza.

“Endriti ka ardhur tek unë dhe ka filluar të më tregojë se si kishte ndodhur rasti. Më tha se kishin qenë duke fjetur në dhomën 403 dhe nuk e dinte se si kishte rënë vajza. Unë i kam thënë se nuk ka mundësi, sepse krevati është larg dritares”, ka deklaruar ajo.

Dëshmitarja ka rrëfyer edhe reagimin e Nikës kur është përmendur ardhja e Policisë.

“Kur i kam thënë se po vjen Policia, Endriti ka thënë: ‘Jo, Policia jo Policia. Ka qenë nervoz dhe i tensionuar. Ka përdorur fjalë fyese dhe sharje, jo ndaj meje, por në përgjithësi. Jam ndier e frikësuar dhe jam larguar pak më tutje”, ka dëshmuar Limani.

Ajo ka përmendur edhe një detaj tjetër, duke thënë se kur Nika kishte zbritur pas ngjarjes, kishte pasur të veshur një këmishë të shqyer në pjesën e pasme.

Sipas dëshmitares, roja e hotelit kishte telefonuar Policinë për të kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve dhe të ambulancës.

Këto deklarime janë dhënë gjatë rigjykimit ndaj Endrit Nikës, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten objekt i shqyrtimit gjyqësor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post LEX | “Nuk ka mundësi të ketë rënë nga krevati, sepse ishte larg dritares” – Dëshmia e recepsionistes së hotelit në gjykimin ndaj Endrit Nikës appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali