
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot, më 12 tetor 2026, pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Lulzim dhe Naim Sallahut, të cilët përballen me akuza që lidhen me tenderin për rikonstruktimin e rrugës Prizren–Prevallë.
Seanca pritet të zhvillohet para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Lulzim Sallahu, në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të kompanisë “SA Sallahu”, së bashku me kompaninë, akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa Naim Sallahu akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, rasti lidhet me aplikimin e kompanisë “SA Sallahu”, më 5 shtator 2019, në tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës për projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren–Prevallë”.
Prokuroria pretendon se Naim Sallahu kishte përpiluar dhe nënshkruar referenca dhe dokumente me përmbajtje të pavërtetë, përfshirë kontrata mbi vepër dhe CV të inxhinierëve, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për t’u përdorur në procedurën e tenderimit.
Në seancën e paralajmëruar pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | Tenderi për rrugën Prizren–Prevallë, pritet të mbahet seanca ndaj Lulzim e Naim Sallahut – Akuza për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali