LEX | Vrasja që tronditi Podujevën – e dëmtuara mbetet pa përfaqësues ligjor pasi OAK ia mori licencën avokatit të saj, Apeli shtyn seancën ndaj Arsim Sylës

LEX | Vrasja që tronditi Podujevën – e dëmtuara mbetet pa përfaqësues ligjor pasi OAK ia mori licencën avokatit të saj, Apeli shtyn seancën ndaj Arsim Sylës

Written by

in

LEX | Vrasja që tronditi Podujevën – e dëmtuara mbetet pa përfaqësues ligjor pasi OAK ia mori licencën avokatit të saj, Apeli shtyn seancën ndaj Arsim Sylës

Gjykata e Apelit ka shtyrë sot, më 28 tetor 2026, seancën ndaj Arsim Sylës, i dënuar në shkallë të parë me 22 vjet burgim për vrasjen e Valmir Breznicës në një supermarket në Podujevë.

Gazeta Sinjali, e cila ka monitoruar seancën, raporton se shkak për shtyrjen është bërë mungesa e palëve të dëmtuara, të cilat aktualisht nuk kanë përfaqësues ligjor.

Kryetari i trupit gjykues gjyqtari Skender Qoqaj bëri të ditur se gjykata kishte komunikuar me të dëmtuarit, të cilët kishin shprehur interesim të madh për të marrë pjesë në seancë.

Megjithatë, përfaqësuesit të tyre të mëparshëm ligjor i është marrë licenca nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), ndërsa të dëmtuarit ende nuk kanë angazhuar një avokat tjetër.

Gjykata bëri të ditur gjithashtu se ankesa e paraqitur në emër të palës së dëmtuar ishte hedhur poshtë si e palejuar, pasi avokati që e kishte ushtruar nuk kishte licencë të vlefshme.

Besnik R. Berisha: Pa iu garantuar të drejtat palës së dëmtuar, vendimi nuk mund të jetë i drejtë

Avokati Besnik R. Berisha, mbrojtës i Arsim Sylës, nuk e kundërshtoi shtyrjen e seancës.

Ai theksoi se palëve të dëmtuara duhet t’u garantohet e drejta për t’u dëgjuar, pavarësisht kohës që mund të nevojitet.

“Ata kanë të drejtë të dëgjohen, sado që u nevojitet kohë, sepse vendimi në fund, pa iu siguruar palës së dëmtuar mbrojtja, nuk mund të jetë as i drejtë dhe as i ligjshëm. E mirëpres vendimin e këtij kolegji”, deklaroi Berisha.

Vrasja që tronditi Podujevën

Rasti lidhet me vrasjen e 34-vjeçarit Valmir Breznica, më 11 shtator 2023, në supermarketin “Interex” në Podujevë.

Viktima ishte së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tyre 4-vjeçar kur ndodhi sulmi me armë zjarri. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arsim Syla dyshohej se kishte nxitur djalin e tij të mitur, Lordi Syla, ta vriste Breznicën për motive hakmarrjeje, pas një konflikti të mëhershëm.

Prokuroria pretendon se Arsim Syla e kishte orientuar të birin drejt viktimës, ndërsa i mituri kishte shtënë disa herë me armë zjarri.

Arsim Syla i ka mohuar akuzat, duke kundërshtuar pretendimet se kishte planifikuar apo nxitur vrasjen.

Dënimi me 22 vjet burgim

Më 26 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor Arsim Sylën dhe e dënoi me 22 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku, me anëtarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.

Në dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Pas ankimimit të aktgjykimit, çështja ka kaluar në Gjykatën e Apelit, ku seanca e sotme nuk arriti të zhvillohej për shkak të pengesave procedurale lidhur me përfaqësimin e palës së dëmtuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali