Rreth librit Shekulli XX – Pjesa II (1951-1975) të Agron Shalës, të promovuar më 23 tetor 2026, në Ferizaj. Promovimi u organizua nga Klubi Letrar “De Rada” me kryetar Arsim Hamitin. Promovimin e udhëhoqi Zyrafete Shala.
Fjala e mbajtur nga Agron Islami
Agron IslamiFoto: Fatmir Vata
Unë, në cilësinë e historianit, do të mundohem që shkurtimisht të bëjë një prezantim librit të autorit Agron Shala, por padyshim që një trajtim dhe prezantim shumë më dinjitoz do të bëhej nga ana e redaktorit Daut Dauti, i cili ndërroi jetë para pak kohe. Duke njohur profilin e tij, jo vetëm si studiues i historisë, por edhe gazetar me përvojë të gjatë, jam mëse i bindur se Dauti do ta kishte paraqitur këtë libër në një mënyrë edhe më të veçantë, duke u ndalur edhe te zhvillimet në teknologji, muzikë, art dhe fusha të tjera të jetës.
Kur e kemi një libër të tillë përpara, mendoj se është e rëndësishme të ndalemi jo vetëm te ngjarjet që përmenden në të, por edhe te rëndësia që ka një botim i tillë për njohjen e historisë sonë dhe të historisë botërore.
Hyrja e librit është ajo pjesa qe të bën të vendosësh ta lexosh ose jo librin, andaj në hyrje zë vend një pasqyrë e botës pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshimeve në raportet ndërkombëtare dhe të ngritjes së fuqive të reja. Krahas kësaj, ai sjell edhe të dhëna për zhvillimet demografike në trevat shqiptare dhe për jetëgjatësinë e popullsisë. Kështu që, nga hyrja e librit nënkuptohet se kemi të bëjmë me një larushi ngjarjesh të shtruara nga ana e autorit në këtë libër.
Në hyrje autori e thotë qartë se këtë vepër nuk e konsideron studim shkencor, por një përmbledhje gazetareske të ngjarjeve kryesore të kohës. Megjithatë, sipas mendimit tim, pikërisht këtu qëndron një pjesë e rëndësisë së këtij libri, pasi që ai në një formë të përmbledhur dhe kronologjike na ofron një pasqyrë të gjerë të zhvillimeve politike, shoqërore, kulturore dhe shkencore të viteve 1951-1975.
Për një studiues të ri, ky libër mund të jetë një pikënisje e mirë për hulumtime të mëtejshme. Por, natyrisht, ai është i dobishëm edhe për lexuesin e zakonshëm, i cili dëshiron të kuptojë më mirë se çfarë ka ndodhur në botë gjatë kësaj periudhe dhe si lidhen ato ngjarje me zhvillimet që i përjetojmë edhe sot.
Megjithatë, siç mund të kuptohet nga titulli, libri ka një kronologji me momente më të rëndësishme që ka konsideruar autori. Kronologjia e këtyre ngjarjeve fillon me më të madhen, pra me ardhjen në fron të Elizabetes II. Në shikim të parë, kjo mund të duket si një ngjarje që lidhet vetëm me monarkinë britanike. Por, në të vërtetë, ajo na kujton një periudhë kur bota po ndryshonte me shpejtësi dhe kur Britania e Madhe po përballej me transformimin e rolit të saj si fuqi botërore.
Autori ka një qasje të veçantë, ku çdo paragraf shpërfaq një ngjarje të ndryshme nga ajo e para, me përjashtim të vitit i cili është i njëjtë. Në vitin 1952 autori sjell historinë e mbretit Faruk të Egjiptit, i cili kishte prejardhje shqiptare dhe i cili me qëllim të legacisë mbretërore nxori një lajm se prejardhja e tij ishte nga Ehli Bejti (familja e profetit Muhammed). Por, nuk i besoi askush. Dhe, siç ndodh edhe sot në Egjiptin modern, gjeneralët organizuan një puq dhe ai përfundoi në Itali, ku u njohë për jetën e natës …
Politika gjithmonë është e para, andaj edhe solla dy shembuj nga politika, por formati i librit të Agron Shalës është interdiciplinarë. Andaj, në librin e tij zënë vend edhe ngjarje që lidhen me të arriturat në shkencën e medicinës, teknologjisë, ambientit etj. Për shembull, ai përmend zhvillimet në kirurgjinë e zemrës, shpikjet teknologjike dhe katastrofën e njohur si Smogu i Madh i Londrës në dhjetor të vitit 1952, kur ndotja e rëndë e ajrit shkaktoi mijëra viktima. Si rrjedhojë, administrata angleze mori vendimin për mbrojtjen e mjedisit duke zëvendësuar qymyrin e lirë me gazë ose koks dhe duke zgjeruar rrjetet e ngrohtoreve. Ndërkohë, Prishtina, Tetova e Shkupi akoma zënë vendin e parë në botë për nga ndotja e ajrit dhe ne nuk kemi arritur që t’i japim zgjidhje këtij problemi që po na mbyt.
Libri i promovuar, “Shekulli XX – Pjesa II”Foto: Fatmir Vata
Si një njohës i mirë i rrethanave, autori sjellë të dhëna edhe mikrohistorike. Respektivisht për ndërtimin e disa banesave në lagje të caktuara në Prishtinë dhe gjetiu, e që ishin ndërtuar sipas stilit sovjetik, të njohura si Hrushevka – sipas pasardhësit të Stalinit. Kështu që sipas autorit këto banesa janë ngritur në lagjen Taukbahçe dhe Ulpianë dhe sigurisht që kjo është një mikrohistori e cila mbase nuk është e re për urbanistët, por fletë shumë për ndikimet sovjetike në trevat shqiptare …
Megjithëse duken si sarkazëm, në këtë libër gjejmë copëza interesante në raport me mitet që janë thurur për mbretërit e botës. Me këtë rast po e përmend Titon dhe një rast që lidhet me Gjilanin tonë. Bëhet fjalë për Abaz Ajetin (1907-1971), një protagonist kryesor që shpëtoi Titon në Betejën e Neretvës (1943). Sipas këtij rrëfimi, Tito plagoset në këtë betejë dhe Abaz Ajeti nga Bukoviku i Gjilanit, Titon e plagosur e mbanë në shpinë, pa e ditur se kush do të jetë Tito në të ardhmen. Ky i fundit i premton Abaz Bukovikut se nuk do ta harrojë dhe ashtu ndodh: me dekret të veçantë emërohet kryetar i Komunës së Gjilanit – një kryetar i cili ishte i pashkollë, por që sot një shkollë fillore në Gjilan e mbanë emrin e tij. Ashtu siç e ka thënë edhe autori, meqenëse vij nga Gjilani, në popull edhe sot Abaz Ajeti njihet si një kryetar i pakorruptuar.
Gjysma e dytë e shekullit të kaluar përbën një kapitull të rëndë për popullin e Kosovës. Të dhënat mbi këto ngjarje, duke filluar nga aksioni për mbledhjen e armëve i cili u shoqërua me dhunë, presion dhe keqtrajtime ndaj shqiptarëve; pastaj demonstratat, vrasjen e ushtarëve shqiptarë, burgosjet, shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi në vitin 1953 dhe siç, është e njohur, zona e Kaçanikut, Gjilanit e Ferizajt është ndër më të prekurat nga ky presion etj. Të gjitha i gjejmë në këtë libër në mënyrë të dokumentuar. Te kjo pjesë autori iu referohet autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Pra, gjatë leximit mund të njoftohemi edhe me një literaturë që trajton këto ngjarje, që kryesisht janë botime të institutit albanologjik, atij të historisë dhe jo vetëm.
Një detaj tjetër që konsideroj se duhet cekur është edhe dhënia hapësirë e disa biografive të personaliteteve shqiptare të cilët ishin persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe si të tillë edhe në ditët e sotme ata kanë mbetur jashtë rrezes së studiuesve. Me këtë rast po e ceki Ibrahim Dalliun, një hoxhë, intelektual dhe patriot shqiptar jetëshkrimin e të cilit e njohim pak, por nga ajo çfarë lexove tek Agroni, pashë se ai kishte qenë i shkolluar në Stamboll, imam xhamie dhe një aktivist i shquar në debatin për alfabetin me shkronja latine – si i tillë i arrestuar disa herë nga administrata xhonturke gjatë viteve 1909-1911 dhe i njëjti do të vdesë në burg të Enver Hoxhës më 1952, si një personalitet i rrezikshëm për sistemin.
Natyrisht, në kuptimin e metodologjisë shkencore, rrëfimet e tilla duhen trajtuar me kujdes dhe duhen krahasuar me burime të tjera historike. Por, ky libër na ofron informatën e parë dhe na nxit të hulumtojmë më shumë për njerëzit që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare. Sepse, historia nuk bëhet vetëm nga ata që kanë udhëhequr shtete. Ajo bëhet edhe nga njerëzit e zakonshëm të cilët, në rrethana të caktuara, gjenden në qendër të ngjarjeve të mëdha.
Përmendja e Dalliut na rikujton fatin e shumë intelektualëve dhe personaliteteve shqiptare, jeta e të cilëve u ndërpre ose u dëmtua nga represioni politik.
Janë me dhjetëra ngjarje shkencore që kanë ndodhur gjatë viteve që merr në trajtim autori. I pari prej tyre është Konferenca e parë Kombëtare për Gjuhën, e mbajtur në Tiranë në janar të vitit 1952, ku u diskutua baza dialektore e gjuhës letrare shqipe. Siç dihet, kjo është një çështje që shkon përtej debatit gjuhësor. Ajo lidhet me arsimin, kulturën, identitetin dhe mënyrën se si një komb ndërton institucionet e veta kulturore. Dhe, pikërisht këtu e shoh një vlerë tjetër të librit: ai na kujton se, krahas zhvillimeve politike, gjatë këtyre viteve kanë ndodhur edhe procese të rëndësishme në kulturë, arsim dhe në jetën intelektuale shqiptare.
Lista e ngjarjeve mund të zgjatet edhe më shumë. Ajo që dua të theksoj është se libri me titull: Shekulli XX, i autorit Agron Shala, na ofron një udhëtim në kohë në një periudhë kohore prej 25 vjetësh, duke filluar nga zhvillimet e mëdha ndërkombëtare te ngjarjet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e shqiptarëve. Vlera e tij qëndron te mundësia që na jep për t’i parë këto ngjarje në një rend kronologjik dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur vit pas viti.
Sigurisht, një përmbledhje e tillë nuk e zëvendëson studimin e mirëfilltë shkencor. Por, siç e thash pak më parë, këto informacione mund të na shërbejnë si pikënisje për të kërkuar më shumë, për të lexuar më shumë dhe për t’i studiuar më thellë çështjet që na interesojnë.
Në fund, dua ta përgëzoj autorin për këtë punë.
Ju falënderoj edhe juve për vëmendjen.
***
Fjala e mbajtur nga Nazmi Berisha
Nga e majta: Agron Shala, Zyrafete Shala, Agron Islami dhe Nazmi BerishaFoto: Fatmir Vata
Të nderuar pjesëmarrës, dashamirës të librit dhe të kulturës, sot kemi kënaqësinë të promovojmë vëllimin e dytë të veprës Shekulli XX (1951-1975) nga autori Agron Shala, botuar nga Shtëpia botuese “Drini”.
Për mua është kënaqësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm të jem sot bashkë me ju në këtë hapësirë dedikuar leximit, për të folur për një libër që nuk është thjesht një botim i radhës, por një dritare e jashtëzakonshme drejt kujtesës sonë kolektive dhe zhvillimit të botës bashkëkohore.
Nëse vëllimi i parë trajtoi gjysmën e parë të shekullit XX me luftërat e mëdha, ky vëllim i ri na zhvendos në një epokë krejtësisht tjetër – në epokën e shpërthimit të informacionit, të zhvillimit teknologjik dhe të ndryshimeve rrënjësore gjeopolitike.
Kur mendojmë për shekullin XX, shpesh na kujtohen ngjarje të mëdha, luftëra, por edhe ndryshime rrënjësore teknologjike e kulturore. Pyetja që na shtrohet shpesh është: Si arritëm këtu ku jemi sot? Si u formësua mendimi, muzika, politika dhe kultura që ndikoi drejtpërdrejt edhe në jetën tonë?
Përgjigjen për këtë pyetje na e ofron në mënyrë të bukur dhe mjaft origjinale vepra që po promovojmë sot: Shekulli XX nga autori Agron Shala.
Për t’i bërë një prezantim sa më korrekt kësaj vepre, duhet të kuptojmë se si është ndërtuar ajo. Agron Shala nuk ka zgjedhur të shkruajë një tekst të thatë akademik me data e shifra të bezdisshme, e as një roman me ngjarje imagjinare. Ai ka ndërtuar një enciklopedi të shkurtër dhe përmbledhje dinamike gazetareske. Libri u qaset ngjarjeve vit pas viti, duke krijuar një mozaik ku secila faqe zbulon një pjesë të rëndësishme të mozaikut të madh njerëzor.
Stili i shkrimit është i rrjedhshëm, me fjalitë e qarta, plot dinamikë dhe i pasuruar me biografi të shkurtra, anekdota historike, citate domethënëse dhe pasqyrim të fotografive ikonike. Është nga ato libra që mund ta hapësh në çdo faqe dhe menjëherë të thith vëmendjen me një histori apo fakt që nuk e ke ditur më parë.
Shkurtimisht po citoj disa nga thëniet që më kanë bërë përshtypje të cilat janë thënë nga vetë autori apo edhe citime që iu referohen personazheve të caktuara të përfshirë në këtë periudhë historike për të cilën flet autori, pra vitet 1951-1975.
Pamje nga promovimiFoto: Fatmir Vata
1. Thënie nga vetë autori (Agron Shala) dhe redaktori i librit (Daut Dauti):
– Agron Shala: “Leximi solli demokratizimin e shoqërisë; leximi i gabuar solli edhe diktatura … Por, një gjë është e vërtetë: leximi i transformoi shoqëritë anembanë botës”; “Nuk e konsideroj këtë një libër shkencor, por thjesht një përmbledhje gazetareske të ngjarjeve kryesore ndër vite, që besoj se mund të ndihmojë për të krijuar një pasqyrë më të qartë të së kaluarës që ndikon edhe në të tashmen”.
– Daut Dauti (redaktor): “Me pak fjalë, ky libër është një enciklopedi e shkurtër për historinë, politikën, ekonominë, kulturën, artin dhe muzikën tonë, të rajonit dhe të botës. Është një libër pa të dhënat e të cilit nuk kemi mundësi të ndërtojmë njohuri për veten, rrethin dhe botën. Prandaj, literatura e këtillë është e domosdoshme për lexuesin që dëshiron forcimin dhe zgjerimin e njohurisë”.
2. Thëniet e përdorura nga Winston Churchill
– Për shkrimin e historisë: “Historinë e shkruajnë fituesit”.
– Për mbrojtjen e Perandorisë Britanike (deklaratë e vitit 1942): “Ne synojmë të mbajmë atë që është e jona. Nuk jam bërë kryeministër i Mbretit që të kryesoj likuidimin e Perandorisë Britanike. Për atë detyrë, nëse ndonjëherë do të paracaktohej, do të duhej të gjendej dikush tjetër dhe, në një demokraci, supozoj se kombi do të duhej të pyetej”.
3. Thënie nga personazhe të tjerë historikë dhe botërorë:
– Franklin D. Roosevelt (për kolonizimin dhe lirinë e popujve, drejtuar Churchillit): “Nuk mund të besoj se mund të luftojmë një luftë kundër skllavërisë fashiste dhe, në të njëjtën kohë, të mos punojmë për të çliruar njerëzit anembanë botës nga një politikë koloniale prapambetëse. Paqja nuk mund të përfshijë despotizmin e vazhdueshëm … Barazia e popujve nënkupton lirinë më të madhe të tregtisë konkurruese”.
– Mohammad Naguib (për pretendimet e mbretit Farouk I për prejardhje nga Profeti Muhamed): “Nëse kishte ndonjë gjak arab në venat e Faroukut, ai ishte aq i holluar sa nuk mund të gjurmohej kurrsesi te Muhamedi, dhe do të ishte blasfemi nëse dikush do të përpiqej ta bënte këtë”.
– Ludwig Wittgenstein- Ludvig Vigtenshtajn (filozof, mbi vdekjen dhe të tashmen): “Vdekja nuk është ngjarje në jetë: nuk jetojmë për ta përjetuar vdekjen. Nëse lejojmë që përjetësia të mos nënkuptojë kohëzgjatjen e pafundme tokësore, por të pakohën, atëherë jeta e përjetshme u përket atyre që jetojnë në të tashmen. Jeta jonë nuk ka fund ashtu siç nuk ka kufij fusha jonë vizuale”.
4. Thënie nga personazhe shqiptare (të cituara në libër):
– Sabiha Kasimati (intelektuale, drejtuar Enver Hoxhës para se të ekzekutohej): “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?”
– Esad Mekuli (poet): “Po, s’jemi turq, nuk jemi! / Jo kurr’! Ta dinë të tanë: / Shqiptarë dhe t’parët i kemi. / Feja prej kombit s’na ndanë”!
Nëse do ta përmblidhnim përmbajtjen e këtij libri, ai mbështetet fort mbi tre shtylla kryesore:
1. Gjeopolitika dhe zhvillimi global: Libri trazon përplasjet e mëdha ideologjike, Luftën e Ftohtë, garën teknologjike nga transistori te mikroprocesorët, si dhe ndryshimet politike që rindërtuan hartën e botës.
2. Çështja dhe historia shqiptare: Me një ndjeshmëri dhe saktësi të admirueshme, autori i jep hapësirë qendrore fatit të popullit shqiptar. Nga sfidat e përndjekjes së intelektualëve nën regjimin komunist në Shqipëri, e deri te përpjekjet vetëmohuese të shqiptarëve në Kosovë për arsim, kulturë, emancipim kombëtar dhe institucionalizim.
3. Revolucioni kultural, arti dhe muzika: Ky është ndoshta vendi ku libri shkëlqen më së shumti. Autori e vesh historinë me shpirtin e artit. Aty gjeni historinë e kinematografisë botërore, nga Holivudi te realizmi evropian e aziatik, si dhe shpërthimin e muzikës rokënrol e cila ndryshoi përgjithmonë mentalitetin e rinisë botërore.
Pse kjo vepër vlen të lexohet?
Të nderuar pranishëm, ky libër ka një vlerë të veçantë sidomos për një audiencë të pjekur e me përvojë leximi. Për secilin nga ne që ka jetuar apo ka trashëguar kujtimet e kësaj periudhe, libri shërben si një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes.
Siç e vlerëson edhe redaktori i librit, kjo vepër ndihmon lexuesin jo thjesht të mësojë data historike, por të ndërtojë një njohuri të thelluar mbi veten, mbi rrethin shoqëror dhe mbi botën që na rrethon. Ai na kujton se kultura dhe historia nuk janë gjëra të shkëputura, por ecin dorë për dore.
Mbi të gjitha, ky libër është një udhëtim i mrekullueshëm përmes artit, kinematografisë, fenomeneve shoqërore dhe muzikës e cila arriti të ndikoi dhe ndryshoi rininë e asaj kohe.
Si përfundim, Shekulli XX i Agron Shalës është një vepër që meriton një vend nderi në bibliotekën e çdo familjeje dhe të çdo apasionuari pas leximit. Është një udhërrëfyes që mund ta shfletosh për të mësuar, për t’u argëtuar dhe për t’u frymëzuar.
Për të gjithë ju që doni të kuptoni më mirë të tashmen përmes një leximi të pasur me fakte, anekdota dhe analiza të gjalla, ky libër është një udhërrëfyes i domosdoshëm në bibliotekën tuaj.
Ju ftoj të gjithëve ta merrni këtë libër në duart tuaja, ta shfletoni dhe të bëheni pjesë e këtij udhëtimi të mrekullueshëm në kohë.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj lexim të mbarë!
***
Fjala e mbajtur nga Ilir Bytyçi
Ilir BytyçiFoto: Fatmir Vata
Libri Shekulli XX – Pjesa II (1951-1975) e autorit Agron Shala, është një vepër me karakter historik dhe enciklopedik, që trajton një periudhë të rëndësishme të shekullit XX. Për ta analizuar këtë vepër, duhet ta shohim historinë në tri nivele: zhvillimet botërore, ndryshimet në Ballkan dhe rrjedhat historike në trojet shqiptare.
Konteksti historik i periudhës 1951-1975: Kjo periudhë karakterizohet nga Lufta e Ftohtë; kemi parasysh rivalitetin e madh në të gjitha fushat ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Bota u nda kryesisht në bllokun perëndimor, të udhëhequr nga SHBA-ja, dhe bllokun komunist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Përplasja ishte politike, ideologjike, ushtarake dhe ekonomike. Vitet 1951-1975 përfaqësojnë një periudhë të transformimeve të thella. Rivaliteti ndërmjet dy superfuqive ndikoi në politikën ndërkombëtare, në 150 konflikte rajonale dhe në zhvillimin ekonomik e ushtarak. Ngjarjet kryesore të kësaj periudhe përfshijnë:
– Luftën e Koresë në vitet 1950-1953;
– Krizën e Suezit më 1956;
– Krizën e raketave në Kubë më 1962;
– Luftën e Vietnamit në vitet 1964-1975;
– Lëvizjet studentore dhe protestat e vitit 1968.
Kryetari i Klubit Letrar “De Rada”, Arsim Hamiti, duke folur për librin “Shekulli XX”Foto: Fatmir Vata
Dekolonizimi dhe lindja e shteteve të reja: Shumë vende të Afrikës dhe Azisë fituan pavarësinë. Kjo ndryshoi hartën politike të botës dhe rriti rolin e shteteve të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Shkenca dhe teknologjia: Kishim të bënim me garën hapësinore që kulmoi me zbarkimin e amerikanëve në Hënë më 20 korrik 1969. Përparime të rëndësishme pati edhe në komunikim, mjekësi, industri dhe teknologji. Ndryshoi njëherë e përgjithmonë jeta e njeriut, duke u njohur me shpikjet e mëdha teknike të cilat revolucionarizuan jetën tonë.
Këto ngjarje dëshmojnë se historia e shekullit XX nuk u përcaktua vetëm nga luftërat, por edhe nga ideologjitë, shkenca, teknologjia dhe ndryshimet shoqërore.
Një çështje tjetër e trajtuar nga autori Shala ishte padyshim pjesa kinematografisë, muzikës, kulturës së viteve ‘60-ta të cilat sollën ndryshime shoqërore. Aryeja kryesore që jep një vend me rëndësi muzikës së atyre viteve, sidomos trajtimit të figurës së mbretit të rokënrolit, Elvis Presley dhe të brezit të tij, janë të plotësisht të kuptueshme për shkak se edhe vet autori i përket botës së muzikës.
Jugosllavia dhe shqiptarët: Për shqiptarët në Kosovë, kjo periudhë kryesisht ndërlidhej me çështje të rëndësishme për jetën e tyre, si zhvillimin arsimor e kulturor, marrëdhëniet politike dhe përpjekjet për më shumë të drejta kombëtare brenda federatës jugosllave. Historia e Kosovës ndahet në dy etapa të mëdha: njëra fillon me vendosjen e dhunshme të pushtetit komunist, sidomos pjesa që trajtohet në libër 1951-1966 e cila ishte ajo mbijetesës kombëtare – në kuadër të federatës që karakterizohej nga mohimi i çdo të drejtë elementare për shqiptarët. Kjo është një pjesë veçanërisht e rëndësishme për ta kuptuar historinë shqiptare të viteve 1951-1975.
Kontrolli politik dhe represioni: Shqiptarët e Kosovës përjetuan kufizime politike dhe masa represive, veçanërisht gjatë periudhës së ndikimit të Aleksandër Rankoviqit dhe aparatit të sigurimit shtetëror. Rënia politike e Rankoviqit më 1966 shënoi një kthesë në politikën jugosllave ndaj Kosovës dhe hapi rrugën për ndryshime të mëtejshme politike dhe institucionale. Andaj periudha e dytë 1966-1974 ishte e karakterizuar me ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike. Këto ndryshime kishin nisur me demonstratat e shqiptarëve më 1968 në Kosovë, ku protestuan për të drejta kombëtare, barazi dhe status më të avancuar politik. Ndër kërkesat kryesore ishte edhe statusi i republikës dhe zhvillimi i arsimit universitar në gjuhën shqipe – gjë që çoi në themelimin të Universitetit të Prishtinës 1970, për të kulmuar me Kushtetutën e vitit 1974 që e forcoi ndjeshëm autonominë e Kosovës duke i zgjeruar kompetencat e saj institucionale dhe pjesëmarrjen në federatën jugosllave.
Zhvillimet politike në Shqipëri: Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ishte nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Shteti karakterizohej nga sistemi njëpartiak, kontrolli i jetës politike, kufizimi i lirive qytetare dhe izolimi gradual ndërkombëtar, udhëhequr nga sistemi parti-shtet i cili njihej për një sundim me grusht të fortë duke e kthyer Shqipërinë një vend të izoluar të shkëputur nga ndryshimet që po ndodhnin në botë. Një kthesë e rëndësishme ishte në vitet 1960, kur Shqipëria u shkëput politikisht nga Bashkimi Sovjetik dhe forcoi marrëdhëniet me Kinën. Në vitin 1967, regjimi nisi një fushatë të ashpër kundër fesë, duke çuar drejt mbylljes së institucioneve fetare. Analiza e kësaj periudhe duhet të shqyrtojë ndikimin e regjimit në arsim, kulturë, ekonomi, jetën e përditshme dhe të drejtat e individit. Këto zhvillime tregojnë se periudha nuk duhet parë vetëm si një histori e institucioneve politike. Ajo ishte edhe periudhë e ndryshimit shoqëror, e zgjerimit të arsimit dhe e formimit të një brezi të ri intelektual shqiptar. Ndërkaq, duke eliminuar fenë nga jeta e përditshme e shqiptarëve, regjimi i Enver Hoxhës kishte një qëllim të vetëm që të krijohej “njeriu i ri” socialist i çliruar nga ndikimet religjioze dhe i përkushtuar ndaj partisë.
Qasja dhe mënyra e trajtimit historik: Nga përshkrimet e pjesës së dytë të Shekullit XX, të veprës së Agron Shalës që karakterizohet nga ndërthurja e historisë botërore me historinë e Ballkanit dhe atë shqiptare, si dhe nga paraqitja e një game të gjerë ngjarjesh politike, kulturore dhe zhvillimeve teknologjike, kjo qasje është e dobishme për të kuptuar lidhjet ndërmjet zhvillimeve ndërkombëtare dhe historisë kombëtare. Vlera kryesore e një vepre të tillë është mundësia për ta parë historinë në një perspektivë të gjerë dhe për të kuptuar se zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe në botë, nuk kanë ndodhur të izoluara nga njëra-tjetra. Shekulli XX – Pjesa e dytë (1951-1975) vjen për lexuesin shqiptar tamam si një enciklopedi, që ka nevojë secili nga ne për ta lexuar.