Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pikë pelegrinazhi në ditë të rëndësishme të kombit shqiptar

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pikë pelegrinazhi në ditë të rëndësishme të kombit shqiptar

Written by

in

Në këtë ditë të veçantë, qyteti historik ka qenë nikoqir i shumë qytetarëve, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare dhe diaspora.

Në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë takuar edhe anëtarë të një familjeje me prejardhje nga Korça, të cilët prej vitesh jetojnë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mes emocionesh dhe krenarie kombëtare, ata kanë përcjellë urimet e tyre për shqiptarët kudo që ndodhen.

Edhe për shqiptarët që kanë kaluar shumë vite në mërgim, lidhja me atdheun dhe flamurin kombëtar mbetet e pandashme. Një i moshuar, i cili për vite ka jetuar në Skandinavi, kujton se vargjet për flamurin e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, në Prizren është përuruar shtatorja e Shën Nënë Terezës, si dhe sheshi që mban emrin e saj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se vendosja e shtatores dhe emërtimi i sheshit përbëjnë një nderim për figurën e Nënë Terezës dhe kontributin e saj humanitar në botë.

“Për ne si shqiptarë, Nënë Tereza mbetet pasaporta jonë më e ndritur morale në botë. Ajo mishëroi traditën tonë më të mirë të mikpritjes, solidaritetit dhe dhembshurisë, duke e kthyer atë në një mesazh universal që u vlerësua me Çmim Nobel për Paqe”, ka thënë Totaj.

“Sikur ta kishin pasur Nënë Terezën, të tjerët do të përuleshin për tokë që të falënderojnë Zotin për gjithë këtë dashuri që i ka dhënë botës dhe po ta kishin të tjerët një familje që e sakrifikon gjithë jetën si Adem Jashari, me të gjithë anëtarët për liri, sigurisht do të ndiheshin me nder dhe me dinjitet, ka thënë Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës.

Ndryshe nga vitet e tjera, në pikën kufitare të Vërmicës nuk është regjistruar fluks i shtuar i udhëtarëve, as në hyrje dhe as në dalje të Kosovës.

Burimi: RTKLive