Ligji për Specialen ende nuk ka mbërritur te Presidentja – Ja kur pritet t’i dërgohet dhe sa ditë ka për të vepruar

Ligji për Specialen ende nuk ka mbërritur te Presidentja – Ja kur pritet t’i dërgohet dhe sa ditë ka për të vepruar

Written by

in

Ligji për Specialen ende nuk ka mbërritur te Presidentja – Ja kur pritet t’i dërgohet dhe sa ditë ka për të vepruar

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ende nuk ka mbërritur në Presidencën e Kosovës, ndonëse është miratuar nga Kuvendi më 6 tetor.

Sipas procedurave ligjore, dokumenti pritet t’i përcillet Presidentes Justina Shiroka-Pula pas përfundimit të afatit tetëditor për kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, i cili përfundon më 15 tetor.

Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë, ka konfirmuar se institucioni ende nuk e ka pranuar ligjin.

“Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te Presidentja vetëm pas mbylljes së afatit 8-ditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj Presidentja Justina Shiroka Pula i ka në dispozicion 8 ditë për të ndërmarrë veprime”, ka deklaruar Kupina.

Ndryshimet ligjore janë miratuar më 6 tetor në lexim të dytë, vetëm një ditë pas miratimit në lexim të parë. Nisma është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në kohën kur proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë nxitur diskutime të shumta në vend.

Ligji nuk synon shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por ndryshimin e disa aspekteve të funksionimit të saj, duke përfshirë juridiksionin, periudhën kohore që mbulon, dënimet, vendin e ekzekutimit të tyre dhe trajtimin e rasteve që mund të mbeten jashtë kompetencës së saj.

Kjo nismë erdhi pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim për krime lufte. Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar ushtrimin e ankesës.

Tashmë, hapi i radhës është përfundimi i afatit për kontestimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese dhe përcjellja e tij në Presidencë.

Pas pranimit të ligjit, Presidentja do të ketë në dispozicion tetë ditë për të ndërmarrë veprimet e parapara me Kushtetutë.

Mbetet të shihet nëse ligji do të kontestohet brenda afatit dhe kur do t’i përcillet Presidentes për veprimet e mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ligji për Specialen ende nuk ka mbërritur te Presidentja – Ja kur pritet t’i dërgohet dhe sa ditë ka për të vepruar appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali