​Liria ka Emër i drejton Parlamentit Evropian gjashtë kërkesa

​Liria ka Emër i drejton Parlamentit Evropian gjashtë kërkesa

Written by

in

Platforma qytetare “Liria ka emër” i është drejtuar Parlamentit Evropian me gjashtë kërkesa lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të dënuar më 16 shtator nga Dhomat e Specializuar në Hagë me gjithsej 81 vjet heqje lirie.

Në një konferencë sot për media, Ismail Tasholli tha se në mesin e kërkesave të dërguara është edhe ajo mbajtjen e një dëgjimi parlamentar nga Parlamenti Evropian, që ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga ana e Dhomave të Specializuara.

“Platforma qytetare Liria pa Emër i drejton Parlamentit Evropian gjashtë kërkesa konkrete: Të organizojnë një dëgjim parlamentar të posaçëm për shqetësimet e identifikuara në raportin që e ka porositur Avokati i Popullit në bashkëpunim me organizata shumë të nderuara ndërkombëtare, dhe çështje të tjera që lidhen me respektimin e të drejtave themelore në Dhomat e Specializuara, me pjesëmarrjen e institucioneve përkatëse, ekspertëve, të pavarur dhe përfaqësues të mbrojtjes. Së dyti, të kërkojnë të kërkojnë një vlerësim të pavarur ndërkombëtar mbi praktikat institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut, përfshirë çështje që nuk janë trajtuar plotësisht në raportin paraprak të atyre organizatave që i përmenda. Së treti, të nxisë Komisionin Evropian dhe Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm të përgatisin një raport të posaçëm mbi transparencën, përgjegjësinë institucionale dhe respektimin e të drejtave të njeriut në funksionimin e Dhomave të Specializuara. Së katërti, të shqyrtojnë mekanizmat e financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga shtetet kontribuuese dhe institucionet e vështirësisë. Së pesti, të shqyrtojnë analizë parlamentare përmes rezolutës, rekomandimeve apo instrumenteve të tjera për forcimin e monitorimit të pavarur dhe garantimin e standardeve të gjykimit të drejtë. Dhe nëse duan të mundësojnë një takim me përfaqësuesit e Liria pa Emër për të paraqitur dokumentacionin, shqetësimet dhe propozimet tona për veprim institucional, jemi po ashtu të gatshëm”, tha Tasholli.

Tasholli njoftoi se i kanë dërguar një shkresë zyrtare përmes postës elektronike të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, përmes së cilës kanë paraqitur shqetësimet lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në dhomat e specializuara të Kosovës.

Një hap të rëndësishëm institucional këtë po e vlerëson edhe Eliza Hoxha.

“Sot, platforma qytetare “Liria ka Emër” po ndërmerr një hap të rëndësishëm institucional. Ne po i drejtohemi Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme, Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, me një kërkesë të qartë: të shqyrtojnë seriozisht shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Kjo nuk është një kërkesë kundër drejtësisë. Përkundrazi, është një kërkesë në mbrojtje të saj”, tha Hoxha.

Ndërsa, Doruntina Mehaj tha se është shqetësuese mënyra se si janë trajtuar ish-katërshja e UÇK-së gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

“Një nga shqetësimet tona kryesore lidhet me mënyrën se si janë trajtuar të akuzuarit dhe me standardet e zbatuara gjatë proceseve gjyqësore. Paraburgimi shumëvjeçar, kufizimet procedurale dhe çështjet e ngritura lidhur me të drejtat e mbrojtjes kanë krijuar shqetësime serioze për respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë. Tashmë, pas vendimeve dënuese, këto shqetësime kërkojnë vëmendje edhe më të madhe institucionale. Në një sistem demokratik, drejtësia nuk matet vetëm me vendimin përfundimtar, por edhe me mënyrën se si është zhvilluar procesi që ka çuar deri tek ai vendim”, tha ajo.

Kujtojmë, Gjykata në Hagë më 16 shtator dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet heqje liri, po aq edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli 18 vjet dhe Rexhep Selimi 13 vjet. /Kp/