Lista e Studentëve përgatitet për pushtetin, Vuçiq sfidon qeverinë e re

Lista e Studentëve përgatitet për pushtetin, Vuçiq sfidon qeverinë e re

Written by

in

Programi me 11 pika parasheh masa kundër korrupsionit, reformë në drejtësi dhe liri të medias. Vuçiç paralajmëron për një qeveri “anti-serbe”, ndërsa BE-ja kërkon reforma dhe tranzicion paqësor të pushtetit.

Pas fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, Lista e Studentëve po përgatitet të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re, ndërsa emri i kandidatit për kryeministër ende nuk është zyrtarizuar.

Lëvizja ka publikuar një program me 11 pika, ku pjesa më e madhe e masave synon luftën kundër korrupsionit. Ndër premtimet e tjera janë reforma në sistemin gjyqësor, garantimi i lirisë së medias, sigurimi i banesave me çmime të përballueshme dhe përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore.

Një nga zotimet e programit është edhe slogani “çdo fshat do të ketë një mjek”, me të cilin lëvizja synon të theksojë rëndësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët në të gjithë vendin.

Megjithatë, pas fitores zgjedhore, mbetet e hapur çështja se si Lista e Studentëve do ta organizojë dhe menaxhojë qeverisjen. Ndryshe nga partitë tradicionale politike, lëvizja nuk ka një hierarki të qartë apo një udhëheqës të vetëm, çka ngre pikëpyetje për mënyrën se si do të merren vendimet dhe do të ndahen përgjegjësitë në qeverinë e ardhshme.

Në mesin e emrave që po përmenden për postin e kryeministrit janë Ilija Srdanoviq, kardiolog nga Novi Sadi dhe bartës i Listës së Studentëve, si dhe Dejan Šoškić, ish-guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se cili prej tyre mund të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Emërimi i kandidatit dhe përbërja e kabinetit të ri pritet të jenë ndër çështjet kryesore të bisedimeve politike pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, Aleksandër Vuçiq ka kritikuar drejtimin politik që, sipas tij, do të marrë vendi nën qeverinë e re.

Në intervistën e tij të parë pas humbjes në zgjedhjet e së dielës, dhënë për televizionin kabllor Informer, i cili e mbështeti hapur gjatë fushatës, Vuçiç deklaroi se “nuk flitet më për patriotizëm dhe as për zell patriotik”.

Ai pretendoi se qeveria e re do të ndjekë politika që i konsideron kundër interesave kombëtare të Serbisë.

“Të gjithë njerëzit naivë që mbanin flamujt ‘jo-dorëzimi’ dhe flisnin për ‘ëndrra të mëdha kombëtare’ së shpejti do ta kuptojnë se kishim të drejtë dhe se kjo është një qeveri fjalë për fjalë e zhveshur anti-serbe që – jo vetëm që do të pranojë se jemi një popull gjenocidal, por edhe do të vendosë sanksione ndaj Rusisë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se shumë nga qytetarët që votuan për Listën e Studentëve do të pendohen për zgjedhjen e tyre pas pesë ose gjashtë muajsh.

“Ata u udhëhoqën nga urrejtja, donin të luftonin kundër dikujt me çdo kusht, jo për dikë”, u shpreh ai.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se Partia Progresive Serbe po kalon një periudhë që ai e cilësoi si “terror revolucionar”, duke paralajmëruar se mbështetësit e saj do të vetëorganizohen.

Ndërkohë, disa qytetarë vazhdojnë protestat kundër mediave që i konsiderojnë si mbështetëse të pushtetit të mëparshëm.

BE-ja kërkon reforma dhe tranzicion paqësor

Në anën tjetër, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i ka shprehur mbështetjen për rrugën evropiane të Serbisë gjatë një bisede telefonike me Ilija Srdanoviqin, kreun e Listës së Studentëve.

“Vendi i Serbisë është në Bashkimin Evropian”, deklaroi Costa.

“Ne jemi të gatshëm ta mbështesim rrugën e saj evropiane”, shtoi ai.

Costa theksoi rëndësinë e reformave në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe lirisë së medias. Ai bëri thirrje edhe për konstituimin e shpejtë të parlamentit dhe formimin e një qeverie të re, duke kërkuar tranzicion paqësor dhe respektim të rezultateve zgjedhore.

Nga ana e tij, Srdanoviqi deklaroi se Serbia do të vazhdojë procesin e integrimit evropian.

Serbia negocion për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014, por që nga dhjetori i vitit 2021 nuk ka hapur asnjë grup të ri negociatorësh. Ecuria e mëtejshme e këtij procesi do të varet edhe nga përparimi në reformat institucionale, sundimin e ligjit dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Burimi: RTKLive