
Logopedi kosovar Iljasa Fazliu, i arrestuar në nëntor të vitit 2022, ia ka mësyrë të bëhet shef në QKUK, raporton Klan Kosova.
Kjo është bërë e ditur në njoftimin e QKUK-së për verifikimin paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin e shpallur më 8 tetor.
Logopedi Fazliu ka konkurruar për pozitën “Shef i Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK”, i cili në këtë konkurs publik i ka edhe dy kundërkandidatë, Zahide Rraci dhe Granit Haliti.
Fazliu ishte ndaluar pas publikimit të një audio-incizimi ku dëgjohej duke fyer një fëmijë në ordinancën e tij private në Gjilan.
Në atë kohë, ai mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK, nga e cila ishte larguar pas publikimit të rastit.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Fazliut i kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Trajtimi i pa ndërgjegjshëm mjekësor”.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata e kishte shpallur të pafajshëm, duke nxjerrë aktgjykim lirues.
Megjithatë, nuk dihet nëse ka ndonjë vendim të mëvonshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit ndaj tij. /Klankosova.tv