Pochettino, ish-trajner i Tottenham dhe Chelsea, është përmendur si kandidat për ta marrë drejtimin e Manchester United, në rast të largimit të trajnerit aktual, Michael Carrick.
Lovren, i cili ka punuar me Pochettino gjatë kohës kur të dy ishin pjesë e Southampton, mendon se problemet e Manchester United janë më të mëdha sesa vetëm çështja e trajnerit.
“E njoh shumë mirë Mauricio Pochettinon dhe e di se çfarë kërkon ai, por nuk e shoh te Manchester United. Ai është mjaft i zgjuar dhe e di se çfarë po ndodh në klub. Aty ka probleme shumë më të mëdha sesa vetëm ndryshimi i trajnerit”, ka deklaruar Lovren në një intervistë.
Ish-mbrojtësi kroat ka vlerësuar se klubi anglez ka nevojë për ndryshime më të thella, pasi problemet e tij kanë vazhduar për disa vjet.
“Edhe te Michael Carrick mund të shohësh diçka të mirë, por problemi është më i madh. Themelet e klubit nuk janë të qëndrueshme. Manchester United prej shumë vitesh nuk është në nivelin që i takon një klubi kaq të madh”, ka thënë Lovren.
Ai ka shtuar se Manchester United duhet të jetë vazhdimisht në mesin e katër skuadrave të para në Angli, por se kjo nuk po ndodh prej kohësh.
Pochettino, i cili aktualisht drejton Kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte qenë kandidat për stolin e Manchester United edhe në vitin 2018 dhe 2022, por atëherë klubi kishte zgjedhur Ole Gunnar Solskjaer dhe Erik ten Hag.
Burimi: RTKLive
