Kampionët në fuqi të Evropës kanë vazhduar me fitore mbrojtjen e titullit, duke e mposhtur Manchester City në stadiumin “Etihad”, pas një ndeshjeje me shumë gola dhe raste shënimi.
PSG ka dominuar plotësisht pjesën e parë, duke kaluar në epërsi prej 3:0. Desire Doue, Ousmane Dembele dhe Vitinha kanë shënuar për skuadrën franceze, e cila ka zhvilluar 45 minuta të shkëlqyera.
Megjithatë, Manchester City është rikthyer pas pushimit. Erling Haaland ka shënuar dy gola, ndërsa skuadra angleze ka goditur dy herë shtyllën dhe është ndalur edhe nga një ndërhyrje vendimtare e Nuno Mendes, i cili e ka larguar topin nga vija e portës.
Maghnes Akliouche ka shënuar një tjetër gol për PSG-në, duke e rikthyer epërsinë prej tri golash, ndërsa Ferran Torres ka humbur një penallti në minutat e fundit.
Luis Enrique ka vlerësuar lojën e të dyja skuadrave, por ka pranuar se rezultati mund të kishte qenë ndryshe.
“Do të mund ta kishim humbur këtë ndeshje, nëse ata do t’i shënonin rastet që krijuan”, ka thënë trajneri spanjoll.
“Përpiqemi ta fitojmë çdo ndeshje dhe të shënojmë gola. Nuk ndalemi pasi shënojmë një apo dy gola. Është shumë mirë ta përjetosh këtë, por duhet ta përsëris se sot patëm fat, sepse në pjesën e dytë mund të kishim pësuar më shumë gola”, ka shtuar Enrique.
Kjo humbje ishte e para për Manchester City nën drejtimin e trajnerit Enzo Maresca, i cili e kishte nisur aventurën në klub me tetë fitore radhazi në të gjitha garat.
Maresca ka thënë se skuadra e tij duhet të nxjerrë mësime nga kjo ndeshje, duke vlerësuar reagimin pas pjesës së parë të dobët.
“Prej kësaj ndeshjeje mund të mësojmë shumë gjëra. Edhe kur pësojmë dy gola brenda dy minutash ndaj skuadrës më të mirë në Evropë, duhet të vazhdojmë të luajmë”, ka deklaruar trajneri italian.
Në stadium ishte i pranishëm edhe Pep Guardiola, ish-trajneri i Manchester City, i cili ka drejtuar skuadrën angleze për dhjetë vjet dhe ka fituar 20 trofe gjatë qëndrimit të tij.
Me këtë fitore, PSG ka marrë kreun e tabelës së Ligës së Kampionëve pas dy ndeshjeve, ndërsa Manchester City ka rënë në vendin e 17-të.
Burimi: RTKLive
