
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, nuk e fsheh ambicien për ta çuar skuadrën parisiene drejt një tjetër suksesi madhor në Evropë. Pas dy triumfeve radhazi në Ligën e Kampionëve, tekniku spanjoll synon ta përsërisë këtë sukses edhe në edicionin aktual, duke e futur PSG-në në një grup të veçantë të historisë së futbollit evropian.
Deri më tani, vetëm Real Madridi ka arritur ta fitojë këtë garë tri sezone radhazi, duke triumfuar në vitet 2016, 2017 dhe 2018.
Nën drejtimin e Luis Enriques, PSG-ja ka ndërtuar një periudhë të suksesshme, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve, tri tituj të Ligue 1 dhe dy Kupa të Francës. Pavarësisht një starti jo të mirë në kampionatin francez, skuadra ka reaguar me tri fitore radhazi në Ligue 1.
Edhe në Evropë, parisienët e nisën garën me një fitore bindëse 6-1 ndaj Slovan Bratislavës, ndërsa të mërkurën i pret një përballje e rëndësishme me Manchester Cityn.
Luis Enrique, i cili së fundmi e ka vazhduar kontratën me klubin francez, pranon se kjo marrëveshje e ka shtuar presionin mbi të, por këmbëngul se motivimi për të fituar trofe të tjerë mbetet i njëjtë.
“E kam vazhduar kontratën dhe tani jam nën presion edhe më të madh për të treguar se jam gati të vazhdoj dhe se ende dëshiroj të fitoj shumë trofe të tjerë me Paris Saint-Germain”.
Trajneri spanjoll theksoi se dy triumfet e fundit nuk janë arsye për ta ulur ritmin, por një motiv shtesë për të synuar një arritje që deri më tani i ka takuar vetëm gjigantit madrilen.
“E kemi fituar Ligën e Kampionëve dy herë radhazi, por kjo nuk është arsye për t’u ndalur. Jemi ndërtuar për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe kemi një motiv shtesë: të përpiqemi të arrijmë diçka që deri më tani e ka realizuar vetëm Real Madridi. Është një objektiv i veçantë”.
Enrique shtoi se, që nga ardhja e tij në Paris, synimi ka qenë të shkruajë histori me klubin. Për të dhe lojtarët e tij, Liga e Kampionëve mbetet trofeu më i rëndësishëm, ndërsa dëshira për të fituar vazhdimisht është pjesë thelbësore e mentalitetit të një skuadre të nivelit të lartë.
“Të gjithë e dinin se klubi kishte fituar tashmë trofe të rëndësishëm, por për ne nuk kishte trofe më të rëndësishëm sesa Liga e Kampionëve. Për mua si trajner, ashtu si për lojtarët, dëshira për të fituar vazhdimisht është një karakteristikë thelbësore e nivelit më të lartë”, përfundoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Luis Enrique synon historinë me PSG-në: Duam të bëjmë atë që vetëm Real Madridi e ka arritur appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali