Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, realizoi një rikthim dramatik të dielën, duke siguruar fitoren për një mandat të ri me një avantazh prej gati 4.4 milionë votash ndaj kundërshtarit Flávio Bolsonaro, çka i dha atij 51,8% të votave totale.
Politikani i majtë, 81-vjeçar, sfidoi parashikimet duke fituar një mandat të katërt të paprecedentë.
Ai arriti të frenonte një valë konservatore që ka përfshirë vende të shumta të Amerikës së Jugut – si Argjentina, Kili, Kolumbia dhe Peruja – të cilat janë zhvendosur drejt së djathtës, me mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Bolsonaro refuzoi menjëherë ta pranonte humbjen dhe kërkoi anulimin e rezultateve zgjedhore, pas një mbrëmjeje kaotike në disa qendra votimi, e cila erdhi si pasojë e një vendimi të minutës së fundit për të zgjatur procesin e votimit me dy orë.
Senatori është djali i ish-presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, i cili po vuan një dënim me 27 vite burg për tentativë grushti shteti, pas humbjes së tij ndaj Lulas në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2022.
Lula kishte kërkuar zgjatjen e orarit pasi u ankua se autobusët ishin tërhequr nga qarkullimi në qytete të ndryshme, duke u pamundësuar qytetarëve të votonin.
Edhe Flávio Bolsonaro kishte kërkuar zgjatjen e orarit në disa rajone për shkak të reshjeve të dendura të shiut, por më pas e cilësoi vendimin si “të papranueshëm” dhe si një “manovër të pistë”.
“Është e pamundur të njihen këto rezultate. Do të kërkoj anulimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ai në një fjalim të shkurtër në Brazilia. /Telegrafi/