Lushtaku kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2027: Po rritet, por qytetarët po varfërohen

Lushtaku kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2027: Po rritet, por qytetarët po varfërohen

Written by

in

Lushtaku kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2027: Po rritet, por qytetarët po varfërohen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar Qeverinë gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2027.

Lushtaku ka thënë se, ndonëse Qeveria po e paraqet rritjen e buxhetit të shtetit si sukses ekonomik, mirëqenia e qytetarëve nuk është përmirësuar. Ai ka kërkuar nga ekzekutivi të japë llogari për premtimet që, sipas tij, nuk janë realizuar.

“Sot kemi përpara projektbuxhetin në vlerë prej 4 miliardë eurosh. Qeveria e paraqet këtë shumë si dëshmi të suksesit ekonomik, por pyetja është: a do të rritet edhe mirëqenia e qytetarëve aq sa po rritet buxheti i shtetit?

Qytetarët nuk jetojnë me miliona në letër. Ata jetojnë me pensione e paga të ulëta dhe me shpenzime të larta. Kanë kaluar shtatë vjet nga zgjedhjet e tetorit 2019, kur e morët besimin e qytetarëve. Keni pasur mundësi të mjaftueshme për të sjellë ndryshime. Sot nuk është koha për të kërkuar besim, por për të dhënë përgjegjësi për gjërat që nuk i keni bërë.

Ku janë çerdhet që i premtuat? Ku janë 4 mijë banesat për familjet e reja? Ku janë hekurudhat dhe rrugët? Mbi të gjitha, ku është zhvillimi ekonomik që do t’i mbajë qytetarët këtu?”, ka deklaruar Lushtaku, transmeton Klankosova.tv.

Deputeti i PDK-së ka pretenduar se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit ka pasur rreth një miliard euro më pak investime kapitale, duke thënë se kjo ka ndikuar në mungesën e investimeve në shkolla, rrugë dhe infrastrukturë tjetër të rëndësishme.

“Qeveria po premton investime kapitale prej 1 miliard eurosh, por, sipas Institutit GAP, kemi 1 miliard euro më pak investime gjatë qeverisjes suaj. Këto janë humbje në rrugë, në shkolla dhe në çerdhe.

Kryeministër, me cilat ekipe do t’i realizoni këto projekte që i keni premtuar? Keni premtuar përfundimin e autostradës për Gjilan. Keni premtuar me vite dhe jemi në vitin 2026, ndërsa ajo ende nuk është përfunduar. Qytetarët presin dhe, nëse premtimet nuk realizohen, ata e humbin besimin në Qeveri”, ka thënë ai.

Lushtaku ka kritikuar edhe mosrealizimin e skemës së banimit të përballueshëm për familjet e reja, duke thënë se qytetarët kanë nevojë për rezultate konkrete dhe jo vetëm për konferenca për shtyp.

“A po i planifikoni këto investime për t’i përdorur në fushatat e ardhshme apo për t’i përmbushur premtimet? Keni premtuar banim të përballueshëm përmes skemës për familjet e reja, por ende asnjë çift i ri nuk ka hyrë në banesë. Konferencat për shtyp nuk mjaftojnë, familjet kanë nevojë për çelësa”, ka deklaruar deputeti.

Ai tha se rritja e buxhetit nuk po reflektohet në mirëqenien e qytetarëve, të cilët, sipas tij, po përballen me varfërim dhe rritje të shpenzimeve.

“Buxheti po rritet, por qytetarët po varfërohen. Qeveria flet për rritje prej 7.5 për qind, por krahasuar me buxhetin e vitit 2026, rritja është 4 për qind. Ndërsa, nëse e krahasojmë me inflacionin, kjo shifër arrin afërsisht në 9 për qind.

Të hyrat nga TVSH-ja pritet të jenë mbi 100 milionë euro. Sa nga kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së çmimeve që po i paguajnë qytetarët?”, ka përfunduar Lushtaku.