Mafia e drogës në Francë që rekruton fëmijë për vrasje, hulumtimi i BBC sjellë botën e errët të bandave

Mafia e drogës në Francë që rekruton fëmijë për vrasje, hulumtimi i BBC sjellë botën e errët të bandave

Written by

in

Mafia e drogës në Francë që rekruton fëmijë për vrasje, hulumtimi i BBC sjellë botën e errët të bandave

Një prej organizatave më të frikshme kriminale në Francë, DZ Mafia, po zgjeron ndikimin e saj duke rekrutuar të rinj dhe fëmijë nga qytete të ndryshme të vendit, për t’i përfshirë në trafik droge, rrëmbime, tortura dhe vrasje.

Një hulumtim i BBC-së ka zbuluar mënyrën se si bandat kriminale joshin të rinjtë, kryesisht nga familje në gjendje të vështirë ekonomike, me premtime për para, vetura luksoze dhe jetë më të mirë, por më pas i mbajnë të bllokuar në një botë të dhunës dhe krimit.

Rasti i dy adoleshentëve, të cilët në vitin 2022 iu bashkuan një grupi kriminal duke kërkuar punë, dëshmon përmasat e kësaj dukurie.

Ata u detyruan të merreshin me shitjen e drogës, ndërsa pasi drejtuesit e bandës i akuzuan për mungesë të parave në arkë, nisën të përballeshin me rrahje të vazhdueshme.

Sipas dëshmive në gjykatë, ata u detyruan edhe të zhvisheshin dhe të kërcenin para kamerave për t’u shantazhuar. Njëri prej tyre ishte gjithashtu viktimë e përdhunimit.

Një grua që kishte blerë hashash nga njëri prej adoleshentëve vendosi të lajmëronte policinë, pasi bashkë me drogën ai i kishte dorëzuar një letër ku shkruhej: “Po na mbajnë të burgosur dhe kemi nevojë për ndihmë. Jemi 15 vjeç”.

Pas këtij rasti, policia ndërhyri dhe gjashtë persona u dënuan me burgime të rënda për torturimin e dy të miturve.

Sipas BBC-së, DZ Mafia është shndërruar në një nga organizatat më të fuqishme kriminale në Francë, pas një lufte të përgjakshme për kontrollin e territoreve në Marsejë.

Grupi u bë veçanërisht i njohur në vitin 2023, kur nisi të publikonte deklarata përmes videove në rrjetet sociale, duke përdorur famën e tij kriminale për të krijuar një lloj marke.

Drejtuesi i njësisë franceze kundër trafikimit të drogës, Dimitri Zoulas, thotë se tregu në zgjerim i narkotikëve ka ndihmuar në rritjen e shpejtë të organizatës. Sipas tij, numri i përdoruesve të kokainës në Francë pritet të arrijë së shpejti në dy milionë, krahasuar me 600 mijë në vitin 2017.

Ai vlerëson se trafikimi i drogës në Francë gjeneron rreth shtatë miliardë euro në vit dhe përfshin rreth 200 mijë persona.

Vetëm gjatë vitit 2025, sipas shifrave zyrtare të përmendura në raportim, më shumë se 10 mijë fëmijë u përfshinë në një formë të trafikimit të drogës.

Hulumtimi sjell edhe rrëfimin e një nëne, djali i së cilës, Hugo, u largua nga shtëpia në moshën 15-vjeçare dhe vite më vonë përfundoi në Marsejë. Në vitin 2023, familja mori lajmin tragjik se ai ishte qëlluar në kokë. Policia dyshon se i riu ishte përfshirë në veprimtarinë e një bande kriminale.

Ndërkohë, një 20-vjeçar që pretendon se është larguar nga DZ Mafia rrëfen se organizata i josh të rinjtë duke u ofruar gjithçka që dëshirojnë, por kërkon prej tyre besnikëri deri në fund.

Një tjetër anëtar i grupit, i cili ndodhet në burg dhe pret gjykimin për përfshirje në disa vrasje, pranoi se ishte pjesë e një skuadre vrasësish të organizatës.

Sipas BBC-së, autoritetet franceze paralajmërojnë se për të rinjtë që përfundojnë në botën kriminale të Marsejës, largimi nga bandat bëhet jashtëzakonisht i vështirë.

Hulumtimi i plotë.