Manipuluan mbi 2 mijë vota në Gjakovë, dy kryesues të komisioneve dënohen me nga 3 mijë euro gjobë

Manipuluan mbi 2 mijë vota në Gjakovë, dy kryesues të komisioneve dënohen me nga 3 mijë euro gjobë

Written by

in

Manipuluan mbi 2 mijë vota në Gjakovë, dy kryesues të komisioneve dënohen me nga 3 mijë euro gjobë

Dy persona janë dënuar me nga 3 mijë euro gjobë për falsifikimin e rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Gjakovë, pasi kanë pranuar fajësinë për manipulimin e gjithsej 2 mijë e 23 votave të kandidatëve për deputetë.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se të pandehurit, me inicialet A.M. dhe D.K., janë shpallur fajtorë për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorinë.

Sipas komunikatës së Gjykatës, gjyqtari Samedin Cena e ka aprovuar marrëveshjen, e cila parashihte zëvendësimin e dënimit prej gjashtë muajsh burgim me gjobë prej 2 mijë deri në 3 mijë euro. Secilit prej të pandehurve i është shqiptuar gjobë prej 3 mijë eurosh, që duhet të paguhet brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, A.M., në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, gjatë periudhës 29 dhjetor 2025 – 1 janar 2026, në nëntë komisione ka shtuar 428 vota dhe ka hequr 682 të tjera, duke keqpërdorur gjithsej 1 mijë e 110 vota.

Ndërkaq, D.K., në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtin lokacion, në cilësinë e kryesuesit të komisionit në gjashtë komisione të numërimit, ka shtuar 422 vota dhe ka hequr 491 të tjera, duke keqpërdorur gjithsej 913 vota.

Manipulimet, sipas përshkrimit të veprimeve në komunikatën e Gjykatës, janë kryer në Qendrën Komunale të Numërimit, në palestrën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali