
Një kontroll i Task Forcës në Gjilan ka përfunduar me ndalimin e një 26-vjeçari, pasi zyrtarët policorë i kanë gjetur mbi 10 gramë marihuanë në një vend jo fort të zakonshëm – në xhepin pranë jakës së veshjes së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ismajl Bucollin, rreth 26-vjeçar, i cili është ndaluar të premten, më 30 tetor, rreth orës 22:50, në fshatin Pasjak të Gjilanit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zyrtarët e Task Forcës e kishin ndaluar të riun dhe gjatë kontrollit personal kishin hasur në një sasi substance të dyshuar narkotike, të cilën ai e mbante në xhepin pranë jakës.
Gjetja ka bërë që Bucolli të përfundojë në stacionin policor, ndërsa në rast është përfshirë edhe njësia e Antidrogës.
Hetuesit kanë kryer testimin fushor të substancës së gjetur, i cili ka rezultuar pozitiv për marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 10.50 gramësh.
Por për 26-vjeçarin, procedurat nuk kanë përfunduar vetëm me kontrollin dhe shoqërimin në Polici.
Pas konsultimit me organet kompetente, ndaj Ismajl Bucollit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore nën dyshimin për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali