Përplasja mes Marokut dhe Senegalit për titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës po shkon drejt fundit.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) pritet të shpallë të martën vendimin përfundimtar lidhur me finalen e kontestuar, ndërsa në kampin maroken mbizotëron besimi se titulli do të mbetet në duart e tyre.
Sipas burimeve të konsultuara nga gazeta spanjolle Marca, zyrtarët e Federatës Marokene janë optimistë se CAS do ta mbështesë vendimin e Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), e cila në muajin mars ia kishte hequr titullin Senegalit dhe ia kishte dorëzuar Marokut.
Nga triumfi në fushë te vendimi në tavolinë
Finalja mes Senegalit dhe Marokut, e zhvilluar më 18 janar, përfundoi me fitoren e Senegalit, falë golit të Pape Gueye në kohën shtesë. Megjithatë, ndeshja u shoqërua me polemika të mëdha, pasi futbollistët senegalezë kishin protestuar ndaj vendimeve të gjyqtarit dhe për një periudhë ishin larguar nga fusha.
Federata Marokene paraqiti ankesë, duke pretenduar se Senegali kishte braktisur ndeshjen. Në mars, CAF vendosi që Senegali ta humbiste takimin në tavolinë me rezultat 3-0, duke ia dhënë kështu titullin Marokut.
Vendimi u bazua në nenin 82 të rregullores së Kupës së Kombeve të Afrikës, ku parashihet se një ekip që refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të ndeshjes, pa autorizimin e gjyqtarit, mund të konsiderohet humbës dhe të përjashtohet nga gara.
Senegali nuk pranon humbjen e titullit
Federata Senegaleze nuk e pranoi vendimin e CAF-it dhe iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, duke kërkuar rikthimin e titullit të fituar në fushë.
Zyrtarët senegalezë e cilësuan vendimin si të padrejtë, të paprecedentë dhe të papranueshëm. Për më tepër, ata vazhduan ta konsiderojnë veten kampionë të Afrikës, duke shfaqur publikisht medaljet e fituara pas finales.
Tashmë, fjalën e fundit do ta ketë CAS-i, i cili ka shqyrtuar për muaj të tërë ankesën e Senegalit. Vendimi pritet të publikohet nesër dhe do të përcaktojë nëse titulli do të mbetet në duart e Marokut apo do t’i rikthehet Senegalit.
Brahim Diaz në pritje të vendimit
Në Marok mbizotëron bindja se vendimi do të jetë në favor të tyre, bazuar në dispozitat e rregullores së garës dhe vendimin paraprak të CAF-it.
Nëse CAS e konfirmon vendimin, Brahim Diaz dhe bashkëlojtarët e tij do të mbeten zyrtarisht kampionë të Afrikës, pavarësisht humbjes në finalen e zhvilluar në fushë.
Megjithatë, deri në publikimin e vendimit përfundimtar, çështja mbetet e hapur dhe Senegali vazhdon të luftojë për rikthimin e titullit të fituar në stadium. /Telegrafi/