Kosova tashmë i përmbush me prodhim vendor nevojat vjetore për marullë, duke mos pasur më nevojë për import të kësaj kulture perimore. Ajo që para dhjetë vjetësh sigurohej pothuajse tërësisht nga importi, sot prodhohet në serra vendore gjatë të gjitha stinëve të vitit. Madje, kapacitetet prodhuese kanë bërë të mundur që marulla kosovare të depërtojë edhe në tregjet e Bashkimit Evropian dhe të rajonit.
Bujqësinë, si familje, e kanë trashëguar nga të parët. Afrim Hoti, nga fshati Nepërbisht i Komunës së Suharekës, tregon se në fillimet e kultivimit të perimeve në ambiente të mbrojtura, familja kishte hapësira të vogla, të ndërtuara me sisteme primitive.
Sot, kjo familje disponon një hektar serra moderne, ku gjatë sezonit të dimrit kultivon kryesisht marullën.
Hoti, për emisionin “Toka” në RTK, thotë se marulla është ndër kulturat perimore që mund të kultivohet edhe gjatë sezonit dimëror dhe që nuk kërkon ujitje të theksuar. Megjithatë, sipas tij, kujdes i shtuar nevojitet në menaxhimin e temperaturave, ndërsa sëmundja që më së shumti e prek këtë kulturë është kalbëzimi i bardhë.
Hoti thotë se, pas analizave të tokës, njëri ndër faktorët më të rëndësishëm për sukses në perimtari është sigurimi i farës cilësore.
Sipas tij, një hektar sipërfaqe në ambiente të mbrojtura mund të prodhojë deri në 125 mijë bimë marulle.
Para dhjetë vjetësh, kjo kulturë perimore importohej pothuajse në tërësi në vendin tonë. Sot, prodhimi vendor arrin t’i mbulojë kërkesat e tregut gjatë gjithë vitit, ndërsa ka filluar edhe eksporti në vendet e Bashkimit Evropian dhe të rajonit.
Hoti thotë se prodhimin e tij e tregton kryesisht në tregun vendor.
Subvencionet i vlerëson të mira, por, duke u bazuar në rritjen e kostos së prodhimit, konsideron se do të ishte e nevojshme që mbështetja financiare për fermerët të rritet edhe më tej.
Sa u përket granteve, nga një hektar sipërfaqe totale me serra që disponon kjo familje, 40 ari janë përfituar përmes granteve të Qeverisë.
Në anën tjetër, Komuna e Mamushës numëron mbi 400 hektarë sipërfaqe të mbuluara me serra, në të cilat kultivohen perime gjatë gjithë vitit.
Edis Mazreku është njëri nga shumë fermerët e kësaj komune që veprimtarinë kryesore e kanë të përqendruar në prodhimin e perimeve.
Që nga viti 2019, kjo familje disponon mbi dy hektarë serra moderne. Edhe Edisi këtë veprimtari e ka trashëguar nga familja.
Për dallim nga Afrim Hoti, i cili gjatë sezonit dimëror kultivon kryesisht marullën, Mazreku në serra kultivon edhe spinaqin.
Spinaqi preket nga disa prej sëmundjeve që e atakojnë edhe marullën, ndërsa, sa u përket kërkesave për ujitje, kjo kulturë ka nevojë për sasi më të vogla uji sesa marulla.
Prodhimin e tij, Mazreku thotë për emisionin “Toka” në RTK se e shet kryesisht në tregun vendor, ndërsa çmimin aktual e vlerëson të mirë.
Kjo familje, nga 2.2 hektarë serra sa disponon gjithsej, 1.2 hektarë i ka përfituar përmes granteve të Qeverisë.
Ndërkohë, rëndësinë dhe përparësitë e kultivimit të perimeve në ambiente të mbrojtura i shpjegon edhe eksperti i bujqësisë, Besim Sahiti.
Sipas tij, këto ambiente krijojnë disa avantazhe në zhvillimin e bujqësisë, ku përfitimi i parë është ai ekonomik.
Një tjetër përparësi e rëndësishme, sipas Sahitit, lidhet me sigurinë ushqimore, pasi kultivimi në ambiente të mbrojtura mundëson prodhimin e produkteve të nevojshme ushqimore edhe gjatë sezonit të dimrit.
Sahiti e veçon si zhvillim pozitiv faktin se Kosova tashmë arrin t’i përmbushë nevojat e tregut vendor për marullë gjatë gjithë vitit, madje ka filluar edhe eksportimin e saj.
Sipas ekspertit, falë kushteve klimatike që mbretërojnë në vendin tonë, marulla dhe spinaqi mund të kultivohen në të gjitha zonat e Kosovës.
Sëmundja që më së shumti i prek këto dy kultura është kalbëzimi, prandaj menaxhimi i duhur i kushteve në ambiente të mbrojtura është mjaft i rëndësishëm.
Temperaturat në serra për kultivimin e marullës dhe spinaqit duhet të lëvizin nga 10 deri në 25 gradë Celsius, ndërsa lagështia e ajrit duhet të jetë nga 70 deri në 90 për qind.
Kultivimi i spinaqit dhe marullës, e sidomos i kësaj të fundit, për shkak të ndryshimeve të temperaturave dhe afatit të zhvillimit të bimëve, kërkon edhe ushqyerje adekuate.
Burimi: RTKLive
