
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar rregullat dhe masat e sigurisë që tifozët duhet t’i respektojnë gjatë hyrjes në stadiumin “Fadil Vokrri”, për ndeshjen e nesërme ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Sipas njoftimit të FFK-së, në stadium do të ndalohet futja dhe përdorimi i armëve të çdo lloji, mjeteve të mprehta, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve dhe mjeteve eksplozive.
Po ashtu, tifozët nuk do të lejohen të fusin pije alkoolike, rreze lazer, dronë, pajisje zërimi pa autorizim, banderola me përmbajtje politike, raciste apo diskriminuese, çadra dhe çdo send tjetër që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve.
FFK-ja ka bërë të ditur se secili tifoz duhet të ketë me vete një dokument të vlefshëm identifikimi, i cili do të kërkohet gjatë hyrjes në stadium.
Duke qenë se kontrollet e sigurisë do të jenë të detyrueshme për të gjithë, federata u ka bërë thirrje tifozëve që të arrijnë sa më herët në stadium, për të shmangur pritjet dhe vonesat në hyrje.
Një tjetër njoftim ka të bëjë me parkimin. “Prishtina Parking” nuk do të jetë në funksion gjatë ditës së ndeshjes, ndaj tifozëve u është kërkuar që parkimin e automjeteve ta planifikojnë paraprakisht në zona më larg stadiumit, me qëllim të shmangies së trafikut dhe vonesave.
Në fund, FFK-ja ka falënderuar tifozët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke i ftuar që ta përkrahin Përfaqësuesen e Kosovës me disiplinë dhe respekt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali