Mbi 11 mijë persona flasin shqip në rajonin e Bazelit, shqiptarët po fuqizojnë edhe bizneset e tyre

Mbi 11 mijë persona flasin shqip në rajonin e Bazelit, shqiptarët po fuqizojnë edhe bizneset e tyre

Written by

in

Mbi 11 mijë persona në rajonin e Bazelit në Zvicër e kanë shqipen gjuhë kryesore, duke dëshmuar praninë e rëndësishme të komunitetit shqiptar në këtë pjesë të vendit. Sipas të dhënave statistikore të vitit 2024, gjithsej 11,539 banorë të moshës 15 vjeç e lart në kantonet Basel-Stadt dhe Basel-Landschaft kanë deklaruar shqipen si gjuhë kryesore.

Ndërkohë, në fund të vitit 2025, në këto dy kantone janë regjistruar 10,257 shtetas nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Shifrat nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht numrin e përgjithshëm të shqiptarëve, pasi statistikat zvicerane regjistrojnë shtetësinë dhe gjuhën, jo përkatësinë etnike.

Shqiptarët në Bazel janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nga ndërtimtaria, transporti dhe industria, deri te gastronomia, tregtia, shëndetësia dhe profesionet e kualifikuara, shkruan Telegrafi.

Krahas punësimit, vitet e fundit vërehet edhe zhvillimi i sipërmarrjes shqiptare, me biznese që veprojnë në fusha të ndryshme dhe që kontribuojnë në ekonominë lokale.

Sipas një raportimi të portalit zviceran Bajour, në rajonin e Bazelit vlerësohet të ekzistojnë rreth 300 kompani me prejardhje shqiptare.

Ky vlerësim është bërë nga Hirmet Ziberi, i cili në vitin 2026 themeloi shoqatën “Albanische Unternehmen beider Basel”, me synimin për të bashkuar dhe përfaqësuar bizneset shqiptare në këtë rajon.

Komuniteti shqiptar është i pranishëm si në qytetin e Bazelit, ashtu edhe në komunat përreth, ndërsa gjeneratat e reja po ndërtojnë jetën e tyre përmes arsimit, punësimit dhe integrimit në shoqërinë zvicerane.

Prania e tyre në tregun e punës dhe zhvillimi i bizneseve tregojnë se shqiptarët në këtë rajon nuk janë vetëm pjesë e fuqisë punëtore, por edhe të strukturës ekonomike dhe shoqërore të vendit ku jetojnë./Telegrafi/