Mbi 15 kilogramë lëndë narkotike e armë të sekuestruara, Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në Prishtinë

Mbi 15 kilogramë lëndë narkotike e armë të sekuestruara, Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në Prishtinë

Written by

in

Mbi 15 kilogramë lëndë narkotike e armë të sekuestruara, Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale që lidhen me narkotikët dhe armët.

Kërkesa i është drejtuar gjykatës pas një aksioni të zhvilluar në disa lokacione, gjatë të cilit janë sekuestruar mbi 15 kilogramë marihuanë, kokainë, armë zjarri, municion dhe para të gatshme.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 15 kilogramë e 443 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, 1.7 gramë kokainë, si dhe katër qese me substancë të dyshuar të llojit hashash, e njohur si “çokollatë”.

Po ashtu, janë konfiskuar dy vetura, dy armë zjarri, 62 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër telefona celularë dhe mbi nëntë mijë euro para të gatshme.

Prokuroria ka bërë të ditur se tre persona, me inicialet S.M., F.B. dhe N.I., dyshohen për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Ndërsa dy persona, S.B. dhe N.I., dyshohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Një person tjetër, me inicialet Gj.S., dyshohet për veprën penale të dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Aksioni është realizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, në vazhdën e hetimeve kundër narkotikëve dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Prokurori i shtetit tashmë i ka parashtruar gjykatës kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurën penale.

Burimi: Insajderi