Politika e Kosovës përherë është një përplasje e madhe emocionale. Kjo jo përherë është e shëndetshme. Por nga përplasjet mësojmë shumë – sidomos mbi traumat dhe halucinacionet e patrajtuara të shoqërisë. Përtej rrethanave dramatike në të cilat u zgjodh presidentja e republikës (pa fajin e saj), pyetja më e rëndësishme është kjo: a do të ketë Kosova qeverisje cilësore me Vetëvendosjen? Rreziku është i madh që retorika boshe të vazhdojë – ndonëse koha e arsyetimeve ka marrë fund qëmoti.
I.
Ajo që pamë në javët e fundit shpalosi të kaluarën e patrajtuar dhe tragjike brenda shoqërisë shqiptare të Kosovës. Kush s’ballafaqohet me të, e bart me vete si bombë të kurdisur me sahat.
Shqetësuese ishte (e vazhdon të jetë) atmosfera e linçimit dhe e etiketimit: “Nëse nuk je me ne, je spiun serb”. Kanë kaluar 27 vjet që Serbia është dëbuar nga Kosova, por politika dhe parapolitika ende mbijetojnë duke përmendur Serbinë.
Kjo kacafytje vulgare u shoqërua me akuza, kundërakuza, mashtrime paranoide, sjellje abuzive dhe keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve. Është krijuar një gjendje psikoze halucinante. Pasojë e kësaj është mungesa thelbësore e gatishmërisë për ta kuptuar realitetin. Lokal dhe gjeopolitik
Por në këtë mejdan qytetarët e Kosovës i kanë parë mirë të gjithë – sidomos ditëve të fundit: edhe gënjeshtarët, edhe kërcënuesit, edhe rrëmujaxhinjtë, edhe naivët, edhe profiterët e çastit.
Qytetarët e Kosovës u ofenduan sërish me krijimin artificial të dramave politike e institucionale: si nga ata që kalkulojnë deri në çastin e fundit, ashtu edhe nga të tjerët që çështjet jopolitike duan t’i përdorin për beteja elektorale.
Nëse i kthehemi pak veprës së Migjenit, atëherë pas bijve të shqipes shohim hije të trazueme, trashëgimtarë të vuejtjes që në vend të strategjisë politike shpalosin, faqe botës, disa klithma të pakënaquna t’instinktit. Kjo barrë flaket vetëm kur njerëzit janë të lirë nga linçimi. Dhe nga linçuesit që hiqen si patriotë.
II.
Njëra ndër skenat më bizare në historinë politike të Kosovës u pa të mërkurën, kur deputetët, duke u shtirur se po bëhen merak për fatet e vendit, ngarendën si pa frymë drejt kutisë së votimit për të hedhur votën për kryetaren e shtetit, e cila, pa fajin e saj, ngarendte po ashtu të vinte në Kuvend para mesnatës. Kohë s’kishte, koha ikte, fluturonte.
Deputetët vraponin mbrëmë te kutia me vrull e turr, jo se janë bërë merak qe disa muaj për fatet e Kosovës, jo, e bënin këtë për të shpëtuar mandatet e tyre, të cilat frikësoheshin se mund t’i humbnin nëse vendi përplaset në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Nëse ka një imazh që do të mbesë në historinë e monstruoziteteve politike të Kosovës – ky i se mërkurës ishte njëri nga ta. Sërish pa fajin e presidentes, në Kuvend u mbajt fjalimi më i shkurtër i një të zgjedhureje/zgjedhuri në këtë post të rëndësishëm. Opinioni nuk di asgjë për qëndrimet e saj në çështjet më të rëndësishme të vendit. Improvizimi tregon se çfarë respekti kanë deputetët, partitë e kryetarët e partive për postet qendrore të shtetit.
Vetëm një klasë politike totalisht e papërgjegjshme e zbret parlamentin në pazar.
III.
E them përsëri: më ka penguar papërgjegjësia e partive politike në procesin e zgjedhjes së presidentes së vendit. Duke parë prej disa dekadash ceremonitë e zgjedhjes së presidentit apo presidentes në shtete të tjera, unë, natyrisht, kam dëshirë që edhe Kosova të përparojë e ta nderojë postin e presidentit me proces zgjedhor e ceremoni dinjitoze. Sepse posti nderohet, në radhë të parë. E me këtë nderohet edhe njeriu që e merr këtë post.
Por, çfarë ka bërë klasa politike, nuk është përgjegjësi e presidentes Justina Shiroka-Pula. Ajo e prishi rehatinë e vet për të shmangur zgjedhjet e reja dhe ndoshta edhe eskalimin e dhunës nga disa nxitës që çirreshin (edhe publikisht): “Do të ketë dhunë!”
Jo, s’duam dhunë! Jemi demokraci dhe kush i fiton zgjedhjet, e merr pushtetin. Me metoda antidemokratike e me kanun nuk mund askush të marrë pushtetin. Kush ka ambicie politike, nuk duhet të qëndrojë te korneri. Themeloni parti, hyni në politikë, nëse keni dëshirë. Nëse s’guxoni, bëni atë punë që dini më së miri, por bëjeni me nder. Nuk mund të jesh edhe gazetar, edhe politikan. Si gazetar je vëzhgues i politikës, por jo akter. Akter bëhesh kur futesh në politikë.
Ka njerëz që e kanë luksin të mos jenë fare pjesë e politikës, sepse në jetë i kanë arritur të gjitha: punë, profesion, realizim ambiciesh, karrierë, mirëqenie, udhëtime (para së gjithash kulturore). Zonja presidente është një prej tyre. Kështu që respektojeni pak postin e presidentes dhe njeriun që e përfaqëson atë post. Imagjinojeni se këtë post e ka mbajtur edhe dr. Ibrahim Rugova.
Mund të mos na pëlqejnë rrethanat e zgjedhjes, për të cilat – kurrë s’është e tepër të përsëritet – presidentja s’ka faj, por është e padrejtë të diskualifikohet pak orë pas hyrjes në zyrë. Një nga problemet kryesore që kemi si shoqëri është pështyrja instinktive ndaj çdo autoriteti. Kështu s’arrihet askund.
Sepse ka njerëz që politikën e shohin si shërbim, jo si mundësi përfitimi apo lojërash e agjendash politike. Asnjë president nuk mund të jetë lider opozite. As prijës agjendash personale. E kanë provuar disa në Kosovë dhe kanë dështuar keq.
IV.
Në vitin 2010, presidenti gjerman Horst Köhler dha një intervistë. Tha se në rast nevoje dhe për të mbrojtur rrugët tregtare, Gjermania mund të përdorë edhe ushtrinë. Atëherë ishin kohëra të tjera dhe u çuan si gjelat politikanë të majtë e të gjelbër gjermanë duke e akuzuar presidentin Köhler madje edhe për shkelje të Kushtetutës. Edhe disa gazetarë e humbën atëbotë çdo kontroll.
Presidenti Köhler e konsideroi kritikën si të tepruar, të pajustifikuar dhe pa respektin e nevojshëm për postin e tij. Ai dha dorëheqjen për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e autoritetit të postit të presidentit. Köhler ishte burrë zotëri, ekonomist me doktoraturë, zyrtar i lartë në Ministrinë e Financave, drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vitin e kaluar, më 2025, në revistën DER SPIEGEL një gazetar shkroi një tekst të gjatë pendues mbi fushatën kundër presidentit Köhler. Që në titull gazetari nënvizoi se edhe 15 vjet pas dorëheqjes “unë kam ndërgjegjen e vrarë” mbi krejt situatën e krijuar para dorëheqjes së Köhler.
V.
Vera e vitit 2031 mund të jetë e bukur. Presidentja Shiroka-Pula përfundon mandatin, Kosova i afrohet hyrjes në BE, skena politike normalizohet dhe një konstelacion tjetër qeveritar është aq normal sa ngrënia e qofteve dhe pirja e një birre te kafja e Martin Hajdarajt në Prishtinë. Kosova është e të gjithëve. Edhe e atyre që sot nuk kanë pushtet ekzekutiv, por me më shumë mend në kokë mund ta fitojnë një ditë. Por jo me kërcënime.
Pyetja më e rëndësishme është kjo: a do të ketë Kosova qeverisje cilësore me Vetëvendosjen? Rreziku është i madh që retorika boshe të vazhdojë. Mungesa e llogaridhënies poashtu. Bashkë me oportunizmin e shoqëruar me duartrokitje. Por kush ia do të mirën Kosovës, nuk duartroket, por kërkon përgjegjësi e llogari – edhe nga lideri. Domethënë: nga kryeministri. Koha e arsyetimeve ka marrë fund qëmoti.