Sipas agjendës së publikuar nga Kuvendi, në mesin e çështjeve kryesore që pritet të procedohen është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Në rend dite janë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Kryesia pritet të diskutojë edhe për procedimin e nismave legjislative të qytetarëve, emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Po ashtu, në agjendë është rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Burimi: RTKLive
