Mediat italiane: Zhegrova meriton më shumë

Mediat italiane: Zhegrova meriton më shumë

Written by

in

Zhegrova ishte përsëri protagonist në fitoren 2-0 të Juventusit ndaj Napolit, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës torineze me një asistim.

Inkuadrimi i tij në minutën e 59-të i dha një dimension tjetër lojës ofensive të Juventusit. Me driblimet, depërtimet dhe harkimet e tij, kosovari krijoi vazhdimisht probleme për mbrojtjen kundërshtare, ndërsa provoi edhe dy goditje nga distanca.

Një statistikë interesante e paraqitjes së tij është se brenda vetëm tri minutave, Zhegrova regjistroi më shumë goditje drejt portës sesa dy sulmuesit Kolo Muani dhe Nick Woltemade gjatë gjithë ndeshjes.

Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vërejtur nga mediat prestigjioze evropiane si “GOAL”, “Tuttomercatoweb” dhe “Corriere della Sera”, të cilat vlerësuan ndikimin e futbollistit kosovar dhe theksuan se ai meriton më shumë hapësirë në skuadër.

“Një aksion i tij solli golin e epërsisë 1-0. Hyrja e tij në lojë i dha më shumë gjallëri skuadrës. Pa dyshim, meriton më shumë hapësirë”, shkroi “Tuttomercatoweb”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe “Corriere della Sera”, që e vlerësoi energjinë dhe freskinë që Zhegrova i solli lojës së Juventusit.

Ndërkohë, “GOAL” veçoi depërtimet dhe presionin që sulmuesi kosovar ushtroi ndaj mbrojtjes së Napolit.

“I aktivizuar në minutën e 59-të, Zhegrova solli freski dhe më shumë depërtim në fazën ofensive të Juventusit. Rreth minutës së 75-të, ai pati dy goditje të njëpasnjëshme, të cilat u bllokuan nga mbrojtja e Napolit, duke e mbajtur kundërshtarin nën presion, në kohën kur Juventusi kërkonte golin e fitores”, shkroi mediumi.

Kështu, paraqitjet pozitive të Zhegrovës po shtojnë zërat për një rol më të rëndësishëm të tij në formacionin e Spallettit, i cili tashmë ka një tjetër alternativë cilësore në repartin ofensiv.

Burimi: RTKLive