Megaprojekti hotelier Devolli Corporation – InterContinental, jehonë në mediat ndërkombëtare

Megaprojekti hotelier Devolli Corporation - InterContinental, jehonë në mediat ndërkombëtare

Written by

in

Megaprojekti hotelier Devolli Corporation - InterContinental, jehonë në mediat ndërkombëtare

IHG Hotels & Resorts (IHG), një nga kompanitë kryesore hoteliere në botë, njofton nënshkrimin e marrëveshjes për InterContinental Resort Tivat, duke sjellë në Malin e Zi brendin e parë dhe më të madh në botë të hoteleve luksoze dhe duke e shtuar më tej praninë në rritje të IHG në Ballkan, një rajon kyç për strategjinë e rritjes së IHG në Evropë. Resorti do të zhvillohet në partneritet me Devolli Corporation, një nga grupet kryesore të biznesit në rajon, në ndërmarrjen e parë të saj në sektorin e hotelerisë.

I pritshëm të hapet në vitin 2029, InterContinental Resort Tivat, i ndërtuar nga e para, do të ofrojë 169 dhoma të gjera, përfshirë 18 suita, i vendosur buzë detit si pjesë e një zhvillimi emblematik me përdorim të përzier, me lidhje të drejtpërdrejtë me bregdetin e gjallë të Porto Montenegro. I rrethuar nga peizazhi spektakolar i Gjirit të Kotorit, i mbrojtur nga UNESCO, resorti do të ndodhet në një nga pozicionet më të dukshme dhe më të kërkuara të bregdetit malazez, më pak se 10 minuta në makinë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tivatit.

Resorti do të ketë një restorant karakteristik, InterContinental Bar, së bashku me objekte të gjera “spa” dhe “wellness”, pishina të brendshme dhe të jashtme, një qendër fitnesi, hapësira fleksibël për takime dhe evente, si dhe kopshte të peizazhuara bukur, ideale për dasma dhe festime. Duke u shërbyer udhëtarëve të pushimeve, çifteve dhe turistëve kulturorë, si dhe duke ofruar hapësira për takime dhe evente, InterContinental Resort Tivat do të ketë tërheqje gjatë gjithë vitit në një destinacion të njohur prej kohësh për bukurinë e tij natyrore.

Nënshkrimi pasqyron interesin në rritje ndërkombëtar për Malin e Zi, një nga destinacionet luksoze në zhvillim më dinamik të Ballkanit. Sipas të dhënave të MONSTAT (Zyra e Statistikave e Malit të Zi), vendi priti 2,73 milionë turistë në vitin 2025, me një rritje prej 4,7% krahasuar me vitin paraprak, duke forcuar pozicionin e tij si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar për udhëtarët ndërkombëtarë të pushimeve dhe stilit të jetesës.

Willemijn Geels, Zëvendëspresidente e Zhvillimit për Evropën në IHG Hotels & Resorts, tha: “Jemi të kënaqur që po sjellim InterContinental, brendin e parë dhe më të madh në botë të hoteleve luksoze, në Tivat, si pjesë e zgjerimit tonë të vazhdueshëm në Ballkan. Me bregdetin e tij mahnitës dhe tërheqjen ndërkombëtare në rritje të shpejtë, ky rajon i Malit të Zi është skena e përkryer për të shfaqur luksin e arritshëm të brendit InterContinental dhe trashëgiminë 80-vjeçare të pionierit të udhëtimit. Jemi veçanërisht krenarë që po bashkëpunojmë me Devolli Corporation në ndërmarrjen e tyre të parë hoteliere dhe që po thellojmë angazhimin tonë ndaj Malit të Zi dhe rajonit më të gjerë, ku vazhdojmë të shohim potencial të jashtëzakonshëm rritjeje”.

Shkëlqim Devolli, pronari i Devolli Corporation, shtoi: “Jemi krenarë që po bashkëpunojmë për herë të parë me IHG Hotels & Resorts në këtë projekt emblematik për Malin e Zi. InterContinental Resort Tivat do të sjellë një nivel të ri luksi ndërkombëtar në Porto Montenegro, dhe po presim me padurim të krijojmë një destinacion të jashtëzakonshëm që feston më të mirën e rajonit tonë”.

InterContinental është brendi i parë dhe më i madhi në botë i hoteleve luksoze, pionier i udhëtimit luksoz prej 80 vitesh, që nga themelimi i tij në vitin 1946. Duke hapur dyert drejt një “Bote Magjepsjeje”, InterContinental i përfshin mysafirët në urtësinë kulturore vendore dhe njohuritë ndërkombëtare përmes shërbimit të shkëlqyer, dizajnit të shpërblyer dhe bareve e restoranteve dalluese. Në Evropë, brendi ka 35* hotele dhe resorte të hapura në 23 vende, me 9* prona të tjera në proces zhvillimi.

Nënshkrimi përforcon angazhimin e IHG për zgjerimin e portofolit të saj në Evropën Jugore dhe Ballkan, ku aktualisht ka 21* hotele të hapura dhe në proces zhvillimi në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Vetëm në Malin e Zi, kompania tani ka 5* hotele të hapura dhe 3* në proces zhvillimi, ndërsa InterContinental forcon më tej praninë e saj në një nga destinacionet më të kërkuara të rajonit.

(*Shifrat janë të datës 30 shtator 2026)

Projekti shtrihet në një sipërfaqe toke prej 42,207 m², me gjithsej 57,534 m² sipërfaqe ndërtimore. Resorti përbëhet nga tetë objekte, duke përfshirë hotelin, rezidencat private dhe hapësirat përcjellëse, si dhe 277 vende parkimi nëntokësor.

Në qendër të projektit do të jetë hoteli InterContinental Tivat, me pesë yje, i cili do të ofrojë 159 dhoma dhe suita, të projektuara për të ofruar komoditet, elegancë dhe pamje panoramike drejt Gjirit të Kotorrit.

“InterContinental Resort Tivat përfaqëson një hap të rëndësishëm në vizionin afatgjatë të Devolli Corporation për zgjerimin e aktiviteteve tona në tregjet ndërkombëtare dhe për zhvillimin e projekteve me standarde të larta ndërkombëtare. Për ne, ky nuk është vetëm investim në një hotel luksoz, por krijimi i një destinacioni të veçantë që ndërthur hotelerinë, rezidencat ekskluzive dhe një përvojë të re të jetesës në një prej lokacioneve më të bukura të Adriatikut. Partneriteti me IHG Hotels & Resorts është dëshmi e ambicies sonë për të bashkëpunuar me brendet më prestigjioze botërore dhe për të sjellë vlerë afatgjatë në tregjet ku investojmë. Besojmë fuqishëm në potencialin e bregdetit në rajon dhe jemi krenarë që përmes InterContinental Resort Tivat po kontribuojmë në zhvillimin e mëtejmë të turizmit dhe ekonomisë së rajonit”, theksoi Adriatik Kelmendi, anëtar i Bordit të Devolli Corporation.

Resorti do të përfshijë një ofertë të pasur të shërbimeve dhe hapësirave rekreative, ndër të cilat:

•             Spa ekskluzive me sauna dhe pishinë të brendshme;

•             Pishina të jashtme dhe pishinë në çati;

•             Restorant kryesor me tarracë dhe restorant à la carte;

•             Lobby bar, spa bar dhe beach bar;

•             Klub tenisi;

•             Kopshte dhe hapësira të gjelbra në çati;

•             Hapësira të dedikuara për relaksim dhe argëtim.

Të gjitha këto hapësira do të krijojnë një përvojë të integruar të mikpritjes luksoze, duke ndërthurur arkitekturën bashkëkohore, natyrën dhe peizazhin unik të gjirit.

Një komponent i rëndësishëm i InterContinental Resort Tivat janë edhe 225 rezidencat private, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 18,000 m², të cilat do të zhvillohen në tri faza.

Rezidencat do të ofrojnë njësi me një, dy dhe tri dhoma gjumi, si dhe apartamente dupleks, të pajisura me tarraca private dhe pamje drejt detit.

Vlera e veçantë e këtij koncepti qëndron në kombinimin e privatësisë dhe komoditetit të një rezidence private me përparësitë dhe shërbimet e një hoteli ndërkombëtar të nivelit më të lartë, i cili rrit potencialin turistik dhe ekonomik të rajonit, duke krijuar një destinacion të ri të turizmit luksoz në Adriatik.

Përmasat dhe kompleksiteti i projektit pritet të gjenerojnë vende të shumta pune gjatë fazës së ndërtimit, si dhe mundësi të qëndrueshme punësimi pas përfundimit dhe funksionalizimit të resortit.

Partneriteti me IHG Hotels & Resorts përfaqëson një element kyç të projektit, duke bashkuar vizionin investues të Devolli Corporation me përvojën dhe ekspertizën ndërkombëtare të një prej operatorëve më të njohur të hotelerisë në botë.

Për këtë megaprojekt hotelier mes Devolli Corporation dhe InterContinental, kanë raportuar edhe shumë media tjera ndërkombëtare, si në vijim:

“La Revue Des Hotels”

“Democrata”

“The Hospitality Tribune”

“RusTourismNews”

“Investitor”

“PressTur”

“WestBalkan”