Prezantuesja amerikane, Megyn Kelly, është përballur me kritika nga disa personazhe të njohur, pas komenteve për aktoren Christina Applegate, e cila ka zbuluar se mjeku i saj i ka thënë se mund të mos vuajë nga skleroza e shumëfishtë (MS), pavarësisht se prej vitesh përjeton simptoma të rënda.
Applegate, 54 vjeçe, e kishte bërë publike diagnozën në vitin 2021. Në një episod të fundit të podkastit të saj Messy, ajo tregoi se simptomat nuk janë përmirësuar dhe se tani ndihet sërish në pikën fillestare, pa e ditur se çfarë po ndodh me shëndetin e saj.
Duke komentuar deklaratën në emisionin e saj, The Megyn Kelly Show, Kelly kritikoi mënyrën se si aktorja ka folur publikisht për sëmundjen, duke pretenduar se ajo i ka çorientuar ndjekësit. Këto komente shkaktuan reagime në rrjetet sociale, shkruan DailyMail.
Ish-kolegja e Kelly-t në Fox News, Janice Dean, e cila jeton me sklerozë të shumëfishtë prej më shumë se 20 vitesh, e kritikoi ashpër prezantuesen dhe e quajti sjelljen e saj të papërshtatshme.
Dean shprehu mbështetje për Applegate, duke theksuar se diagnostikimi i kësaj sëmundjeje mund të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë.
Në mbrojtje të Kelly-t doli komentatori Eric Bolling, i cili i kërkoi Dean-it të mos e kthente mosmarrëveshjen personale në një përplasje publike.
Ndërkohë, aktorja Melissa Gilbert reagoi gjithashtu, duke i kërkuar Kelly-t të reflektonte se si do të ndihej dikush që përballet me një diagnozë shkatërruese dhe më pas mëson se ajo mund të ketë qenë e gabuar.
Përfaqësuesit e Kelly-t dhe Applegate nuk pranuan të komentojnë për Daily Mail. Deri tani, nuk është bërë e ditur një diagnozë e re që të shpjegojë simptomat e aktores. /Telegrafi/